Forcat izraelite kanë bombarduar intensivisht Rripin e Gazës që prej mesnatës, duke vrarë të paktën 60 persona, ndërsa ushtria ka urdhëruar evakuimin e palestinezëve nga qyteti jugor Khan Younis përpara një “sulmi të paprecedentë”.
Ndërkohë, liderët e Kanadasë, Francës dhe Britanisë së Madhe kanë paralajmëruar masa konkrete ndaj Izraelit nëse nuk ndalon ofensivën e re në Gaza. Njëkohësisht, 22 vende kanë bërë thirrje që Izraeli të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare dhe ka premtuar se do të vazhdojë operacionin ushtarak, që përfshin edhe planet për të marrë kontrollin e plotë të Gazës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ofensiva izraelite ka vrarë të paktën 53,475 palestinezë dhe ka plagosur 121,398 të tjerë. Zyra e Medias së Qeverisë ka përditësuar bilancin e viktimave në mbi 61,700 të vdekur, duke theksuar se mijëra të tjerë të zhdukur nën rrënoja konsiderohen të vdekur.
Nga ana tjetër, në sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 në territorin izraelit u vranë rreth 1,139 persona dhe mbi 200 të tjerë u morën peng.