Në adresën elektronike të Presidencës së Kosovës ka mbërritur një mesazh kërcënues, ku një person i panjohur i kërkon jetën Presidentes Vjosa Osmani. Kjo ngjarje shqetësuese ka ngritur alarm për sigurinë e krerëve të shtetit.
Reagimi i parë publik erdhi nga bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu, i cili përmes një postimi në Facebook, shprehu indinjatën e tij ndaj këtyre kërcënimeve të përsëritura.
“Presidentja është kërcënuar me dhjetëra herë. E sotmja është vetëm njëra nga to. Këto janë pasoja direkte të mosveprimit të atyre që duhet të reagojnë,” shkruan Sadriu. Ai shton se nëse sot është në shënjestër presidentja, nesër mund të jetë dikush tjetër.
Ngjarja vjen në një klimë të ndezur politike dhe tensioni të shtuar në vend, ku gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet publike duket se po marrin hov. Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga institucionet e sigurisë për personin apo përmbajtjen e saktë të mesazhit kërcënues.








