Hipertensioni, ose tensioni i lartë i gjakut, është një nga sëmundjet më të përhapura dhe njëkohësisht më të nënvlerësuara të kohëve moderne. Ai shpesh nuk jep simptoma të dukshme, por përbën një rrezik të lartë për sëmundje fatale si ataku në zemër, goditja në tru, dëmtimet e veshkave apo humbja e shikimit.
Hipertensioni mund të kalojë pa u vënë re për një kohë të gjatë, por shenjat që jep – edhe pse të zakonshme – nuk duhet të injorohen. Mjekja Snehal Smart paralajmëron se monitorimi i rregullt i tensionit është thelbësor, sidomos nëse shfaqen simptomat e mëposhtme:
1. Dhimbje koke të shpeshta, veçanërisht në mëngjes
Trupi çliron hormone që e ngrenë tensionin në orët e para të ditës. Nëse dhimbja e kokës përsëritet shpesh në mëngjes, kjo mund të jetë një sinjal i tensionit të lartë.
2. Shikim i turbullt apo i dyfishtë
Presioni i lartë mund të dëmtojë enët e gjakut në sy, duke çuar në retinopati hipertensive. Në raste të rënda, kjo mund të rezultojë edhe në humbje të përkohshme ose të përhershme të shikimit.
3. Lodhje dhe mjegull mendore
Tensioni i lartë, kur është kronik, mund të ulë rrjedhën e gjakut në tru, duke shkaktuar përqendrim të dobët, konfuzion dhe ndjesinë e “kokës së rëndë”.
4. Vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje në gjoks
Këto simptoma janë veçanërisht të rrezikshme në rastet e hipertensionit pulmonar, që dëmton arteriet nga zemra në mushkëri. Mund të tregojnë mbingarkesë të zemrës apo dëmtim të mushkërive.
5. Gjakderdhje nga hunda
Edhe pse rrallë, tensioni i lartë mund të shkaktojë gjakderdhje të përsëritura nga hunda, sidomos kur ka rritje të befasishme të presionit – një shenjë e qartë e krizës hipertensionale.
Kur duhet të shqetësoheni?
Nëse vini re këto simptoma, matja e menjëhershme e presionit në shtëpi është e domosdoshme. Nëse vlerat janë të larta dhe simptomat përsëriten, kontaktoni menjëherë mjekun. Hipertensioni i patrajtuar mund të çojë në pasoja të pakthyeshme.
Kontrolloni veten, shpëtoni jetën.
Tensioni nuk ndjehet gjithmonë, por ndëshkon gjithmonë.