FLASH :

Rihanna shkëlqen me barkun e rrumbullakosur në Cannes, përkrah A$AP Rocky dhe yjeve të Hollywoodit në premierën e filmit të ri të Spike Lee

Rihanna tërhoqi vëmendjen në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Cannes mbrëmjen e së hënës, teksa shfaqte me krenari barkun e rrumbullakosur, në mbështetje të partnerit të saj A$AP Rocky, i cili debutoi me rolin e tij në filmin “Highest 2 Lowest” me regji të Spike Lee. Çifti konfirmoi se janë në pritje të fëmijës së tretë gjatë Met Gala-s së këtij muaji. Ata tashmë janë prindër të dy djemve: RZA dhe Riot.

Veshur me një fustan blu me pala dhe taka elegante, Rihanna mbërriti me stil – dhe me pak vonesë – në skenën më të madhe të kinemasë europiane. A$AP Rocky, elegant me një kostum të zi dhe syze, e mbështeti me përkujdesje, madje i mbajti edhe çadrën në momentet kur reshjet e shiut e shoqëruan tapetin e kuq.

Në eventin e mbushur me yje, përkrah tyre parakaluan edhe aktorja Dakota Johnson, e cila shkëlqeu me një fustan rozë me thekë, Adria Arjona e veshur me satën jeshile dhe Jason Momoa me kostumin e tij të bardhë. Edhe modelja Stella Maxwell dhe aktorja Jameela Jamil bënë figurë të bujshme me fustanet e tyre me shkëlqim.

Filmi “Highest 2 Lowest” – një dramë rreth një moguli të muzikës që përfshihet në një skemë rrëmbimi – sjell në ekran Denzel Washington, Ice Spice në debutimin e saj kinematografik, Ilfenesh Hadera, Jeffrey Wright dhe vetë A$AP Rocky.

Ceremonia u zhvillua në sfondin e një debati të ri mbi politikat kulturore ndërkombëtare, pas deklaratës së Donald Trump për të vendosur tarifa 100% për filmat e huaj. Ndërkohë, festivali i njohur për elegancën po përpiqet të rivendosë edhe standarde më konservatore: janë ndaluar veshjet me zhveshje të tepruar, në përpjekje për të frenuar trendin e “naked dresses”.

Pavarësisht rregullave të reja, atmosfera në Cannes mbeti elektrizuese, me përqafime, shikime dashurie dhe shumë kamera që fokusuan momentin e Rihannës dhe A$AP në kulmin e glamurit.