Një atlete adoleshente nga Kalifornia mori vëmendje në rrjete sociale pasi ngjiti podiumin e vendit të parë – pavarësisht se doli e dyta në garë, pas një atleteje transgjinore. Reese Hogan, përfaqësuese e shkollës Crean Lutheran, vendosi një rekord të ri personal dhe shkollor në finalet e seksionit jugor të CIF, por vendi i parë i takoi AB Hernandez, një atlete e lindur mashkull, që garon në kategorinë e vajzave.
Pas përfundimit të garës në kërcim treshe, ku Hernandez fitoi me më shumë se katër këmbë diferencë, Hogan qëndroi pranë podiumit bashkë me të tjerët për një foto zyrtare. Por sapo Hernandez zbriti nga vendi i parë, Hogan “mori vendin që i takonte”, siç shkroi aktivistja Riley Gaines në platformën X: “Turma shpërthen në duartrokitje. Kjo është rruga e duhur. Urime Reese Hogan – kampionia e VËRTETË!”
Hernandez fitoi gjithashtu titullin në kërcim së gjati dhe zuri vendin e shtatë në kërcim së larti, duke siguruar kualifikimin në “CIF Southern Section Masters Meet” më 24 maj. Ajo mban aktualisht rezultatet më të mira në shtetin e Kalifornisë në kërcim së gjati dhe kërcim treshe.
Ndërsa kritikat ndaj pjesëmarrjes së saj janë shtuar, Hernandez ka mbrojtur të drejtën e saj për të garuar në sportin e vajzave. “Jam ende fëmijë, ndërsa ata që më sulmojnë janë të rritur që sillen si fëmijë”, ka thënë ajo. Në lidhje me pretendimet për epërsi biologjike, ajo shtoi: “Tani nuk keni më prova që unë nuk mund të mposhtem.”
Ky rast vjen në një moment tensioni politik në SHBA, pasi një projektligj i propozuar nga Donald Trump për të ndaluar pjesëmarrjen e grave transgjinore në garat sportive për femra dështoi të miratohet në Senat. Demokratët votuan bllok kundër, ndërsa republikanët e kishin përdorur çështjen si armë elektorale.


