Presidenti Donald Trump ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u menaxhua publikisht diagnoza e kancerit të Joe Biden, duke sugjeruar se mjeku i tij personal duhet të hetohet. Komentet vijnë pasi ish-presidenti Biden u diagnostikua me kancer të prostatës të avancuar, që tashmë është përhapur në kocka.
Gjatë një interviste në Zyrën Ovale të hënën, Trump e quajti lajmin “shumë të trishtueshëm”, por më pas dyshoi se publiku ishte mbajtur në errësirë për një kohë të gjatë. “Jam i befasuar që nuk është njoftuar më herët. Për të arritur në fazën 9, kjo kërkon kohë,” tha ai, duke iu referuar një niveli shumë agresiv të kancerit.
Ai vuri në dyshim integritetin e Dr. Kevin O’Connor, mjekut të Biden në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë: “Është i njëjti doktor që tha se Joe ishte në gjendje të mirë mendore. Ndoshta dikush nuk po thotë të vërtetën. Njerëzit duhet të zbulojnë çfarë ndodhi.”
Zyra e Biden njoftoi të dielën se kanceri është i ndjeshëm ndaj trajtimit hormonal dhe se familja po diskuton opsionet e trajtimit me mjekët.
Megjithëse Trump dhe bashkëshortja e tij Melania shprehën publikisht mbështetje për Bidenin dhe familjen e tij, djali i tij, Donald Trump Jr., u bashkua me zërat nga krahu i djathtë që ngrenë dyshime për një mbulim të sëmundjes. Ai ironizoi: “Si ka mundësi që Dr. Jill Biden nuk e kuptoi një kancer metastatik në fazë të pestë?”
Ndërkohë, emri i Jill Biden është përfshirë gabimisht në diskutim, pasi ajo nuk është mjeke, por ka doktoraturë në edukim.
Kritikat ndaj menaxhimit të shëndetit të Biden janë shtuar pas debatit të dobët që pati ndaj Trump në fund të qershorit, dhe sidomos pasi u zbulua se një specialist për sëmundjet e Parkinsonit kishte vizituar disa herë Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, mungesa e transparencës nga mjeku O’Connor është vënë në kontrast me paraardhësit e tij në administratën Trump, të cilët u shfaqën rregullisht para mediave – edhe pse vetë Trump është kritikuar për fshehjen e dimensioneve të vërteta të infektimit me COVID.
Diagnoza e Biden erdhi ndërsa një sërë librash kritikë ndaj shëndetit të tij kanë dalë në treg. Libri më i ri, “Original Sin: President Biden’s Decline, Its Cover-Up, and His Disastrous Choice to Run Again” nga Jake Tapper dhe Alex Thompson, pretendon se ndihmësit po mendonin ta transportonin Bidenin me karrocë me rrota pas zgjedhjeve për shkak të përkeqësimit fizik.
Edhe pse autori Chris Whipple mohon që kemi të bëjmë me një “komplot” në stilin e Watergate, ai e cilëson bindjen e rrethit të Biden se ai mund të qeveriste për katër vite të tjera si “mashtrim vetjak” dhe “i shkëputur nga realiteti”.

