FLASH :

Nga kabina në burgun famëkeq: Britanikja 21-vjeçare përballet me 25 vite burg në “ferrin” e Sri Lankës për trafik droge

Një britanike 21-vjeçare, e akuzuar për trafikim droge me vlerë mbi 1.2 milion paund, po mbahet në një burg famëkeq në Sri Lanka dhe mund të përfundojë në një nga burgjet më të tmerrshme në botë.

Charlotte May Lee, një ish-stjuardesë nga Coulsdon i Londrës së Jugut, u arrestua në aeroportin e Kolombos javën e kaluar, pasi autoritetet doganore zbuluan në valixhet e saj 46 kg “Kush” – një lloj kanabisi sintetik – me destinacion për tregun luksoz lokal. Sasia e sekuestruar konsiderohet ndër më të mëdhatë të kapura ndonjëherë në aeroportin ndërkombëtar të vendit.

Ajo aktualisht ndodhet në burgun e Negombo-s, por nëse shpallet fajtore, rrezikon të dërgohet në burgun e sigurisë së lartë të Welikada, i njohur për mbipopullim ekstrem, mungesë higjiene dhe trajtim çnjerëzor ndaj grave. Dëshmitë e ish-të burgosurave përshkruajnë kushte të skajshme: 650 gra të mbyllura në hapësirë për vetëm 150 persona, ushqim me krimba dhe minj që bredhin lirshëm nëpër qeli. Në vitin 2012, një revoltë e përgjakshme në këtë burg përfundoi me 27 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Sipas një burimi ligjor, Lee shpërtheu në lot në seancën e saj të parë në gjykatën e Negombo-s, ku u akuzua për posedim dhe trafik ndërkombëtar droge. Ajo u paraqit e vetme, pa mbrojtje ligjore dhe krejtësisht e hutuar për situatën ku ndodhet.

Nëse gjyqi përfundon me dënim, ajo mund të përballet me 20 deri në 25 vjet burg – ose me një gjobë të majme. Por duke qenë se sistemi penitenciar i Sri Lankës ndodhet në kolaps – me mbi 20 mijë të burgosur mbi kapacitetin dhe mungesë prej rreth 850 rojesh – presioni mbi drejtësinë për t’u treguar shembullore në rastet ndërkombëtare është i lartë.

Në rrjetet sociale, Lee shfaqej si një vajzë e zakonshme angleze, me poste nga festa, klube nate dhe selfie në plazhe ekzotike. Ajo kishte qenë së fundmi në Tajlandë për të festuar ditëlindjen e saj të 21-të dhe dyshohet se fluturimi për në Sri Lanka ka qenë pjesë e itinerarit që përfundoi me arrestimin e saj.

Rrjeti i trafikimit përmes Tajlandës?
Rasti i Charlotte Lee vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të një tjetër britanikeje, Bella May Culley, 18 vjeç, e ndaluar në Gjeorgji me 14 kg drogë të llojit të ngjashëm. Të dyja kishin udhëtuar nga Bangkoku në të njëjtën ditë, duke ngritur dyshime se janë përdorur si “mule” nga të njëjtat rrjete kriminale tajlandeze që tani po shmangin postën dhe po përdorin turistët si transportues të mallrave të paligjshme.

Sipas të dhënave të fundit, mbi 800 persona – përfshirë 50 britanikë – janë arrestuar në Tajlandë për trafik droge që prej korrikut të kaluar. Këto arrestime nënvizojnë rrezikun e rritjes së përdorimit të të rinjve të painformuar si instrumentë të krimit ndërkombëtar.

Ministria e Jashtme britanike ka konfirmuar se është në kontakt me autoritetet e Sri Lankës dhe po mbështet familjen e Lee, por nuk ka ofruar detaje për rrugën ligjore që mund të ndjekë në vazhdim.