Në një kohë kur debati ekonomik në Shqipëri ka degraduar në klishe retorike dhe pseudo-reforma fiskale, Partia Mundësia, përfaqësuar në Kuvend nga Agron Shehaj, sipërmarrës me integritet të provuar, dhe Erald Kapri, historian dhe intelektual i lirë, ka detyrën dhe mundësinë historike të kthejë vëmendjen publike drejt një aksi të harruar: lirisë ekonomike. Me një platformë të djathtë klasike, që synon të çlirojë ekonominë shqiptare nga kthetrat e taksave të larta, paternalizmit shtetëror dhe pengesave që vrasin iniciativën e lirë. Tre janë frontet ku “Mundësia” duhet të shndërrohet në zë të pakompromis në Parlament:
1. Taksa e sheshtë – 10% dhe asnjë grimcë më shumë
Nëse liria ka një shprehje ekonomike, ajo është tregtia e lirë dhe taksimi i ulët. Një taksë e sheshtë 10% për individët dhe bizneset do të ishte më shumë sesa reformë do të ishte çlirim për mijëra qytetarë që sot ndëshkohen për faktin se guxojnë të punojnë, të krijojnë, të prodhojnë.
Ashtu siç do të thoshte Ludwig von Mises, taksat e larta janë forma moderne e konfiskimit të punës së njeriut nga shteti. Ato nuk përmirësojnë barazinë, përkundrazi: i varfërojnë më tej të varfrit, e ndalojnë klasën e mesme dhe vrasin motivimin për të ecur përpara. Një shtet që merr më pak, është një shtet që i beson qytetarit dhe e lë atë të ndërtojë jetën e tij. Shqipëria ka nevojë për një filozofi fiskale që nuk i shikon qytetarët si çeqe të gjalla, por si prodhues vlerash e njerëz të lirë.
2. Ulja e TVSH-së në 15%, shteti të mos ndëshkojë konsumin
TVSH-ja është një taksë që nuk pyet nëse je i pasur apo i varfër ajo ndëshkon çdo produkt që blen, çdo nevojë që plotëson. Kjo është arsyeja pse ulja e saj në 15% është jo vetëm ekonomike, por edhe morale. Çdo formë e taksimit të konsumit është një akt arbitrar i shtetit ndaj lirisë së tregut, një ndërhyrje që deformon çmimet, ul fuqinë blerëse të më të dobëtëve dhe rrit vetëm kapacitetin e shtetit për të kontrolluar më shumë. Shqipëria, me një ekonomi të brishtë dhe me konsum të ulët, nuk ka luksin të mbajë TVSH prej 20%. Kjo nuk është vetëm padrejtësi fiskale, por një politikë regresive që ushqen informalitetin. Një TVSH më e ulët do të sillte rritje të konsumit të brendshëm, më shumë transaksione të deklaruara dhe, paradoksalisht për burokratët, rritje të të ardhurave nga tatimi real.
3. ZERO taksa për biznesin e vogël në vitin e parë
Një mundësi reale, jo një iluzion statistikor. Asgjë nuk e bën një shtet më të lirë dhe më të drejtë se mbështetja e sipërmarrjes së vogël, veçanërisht në fazat e para të krijimit të saj. Politika e “0 taksa për vitin e parë” nuk është dhuratë është një investim në iniciativën private.
Siç na mëson logjika e shkollës liberale, tregu nuk e ka problem të rritet. Por e ka të pamundur të fillojë, nëse pengesat janë të mëdha që në hapin e parë. Çdo tatim mbi një biznes që sapo ka filluar është si të kërkosh pagesë për një frymëmarrje të parë. Le ta lëmë sipërmarrjen të marrë frymë, dhe ajo do të japë fryte.Në Shqipëri, ku informaliteti është shpëtimi i vetëm për të mbijetuar, është çmenduri që një i ri që hap një punishte, një faqe online apo një shërbim lokal, të taksohet si kompani që gjeneron miliona. Kjo politikë është çelësi për të formalizuar tregun, për të nxitur punësimin real dhe për të krijuar një klasë të re të mesme që e mban vetë peshën e ekonomisë.
Partia “Mundësia” dhe deputetët e saj kanë shansin të bëhen përfaqësuesit e së djathtës moderne në Shqipëri dhe zëri i arsyes ekonomike në Kuvend. Një zë që për një kohë të gjatë ka munguar në politikën shqiptare. Taksa e sheshtë 10%, ulja e TVSH-së dhe lehtësimi i sipërmarrjes së lirë nuk janë thjesht masa teknike, por beteja për shpirtin ekonomik të Shqipërisë. Nëse duam një Shqipëri ku punëtori dhe biznesmeni i ndershëm të ndihen të vlerësuar, ku çdo individ të ketë lirinë të përpiqet e të përparojë ekonomikisht, e mbi të gjitha për frenimin e arratisjes së të rinjve, atëherë këto reforma duhet të jenë prioritet absolut. Liria ekonomike nuk është luks, por parakusht për zhvillim të qëndrueshëm këtë e tregon historia e vendeve që ia dolën të dalin nga varfëria. Shqipëria s’ka përse të jetë përjashtim. Duke ulur taksat dhe duke kufizuar rolin e shtetit aty ku s’duhet, ne lëshojmë potencialin e plotë të qytetarëve tanë.
Rama nuk do t’i bëjë kurrë, por kjo duhet të jetë beteja dhe filozofia e Partisë “Mundësia”, dhe këto tri shtylla të jenë gurët kilometrikë në rrugën drejt një ekonomie të lirë, të drejtë dhe të begatë.







