Numri i kandidatëve që i janë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën për të siguruar pamjet filmike nga qendrat e numërimit është në rritje. Pas zgjedhjeve të fundit, një subjekt politik dhe plot 11 kandidatë kanë depozituar zyrtarisht kërkesa në KQZ, me pretendimin se janë dëmtuar nga manipulime të mundshme ose ndërhyrje të kolegëve të tyre në procesin e votimit dhe numërimit.
Mes tyre është përmendur kandidati i Partisë Demokratike në Tiranë, Ilir Alimehmeti, i cili humbi përballë Jorida Tabakut. Po ashtu edhe kandidatja socialiste Blerina Gjylameti, që humbi garën e ngushtë me Olta Xhaçkën me një diferencë prej vetëm 85 votash, ka kërkuar zyrtarisht verifikimin e pamjeve.
Fenomeni nuk ndalet këtu. Rajmond Dervishi nga Koalicioni Euroatlantik, Etilda Gjonaj e PS-së, Altin Goxhaj i PD-së, Aulon Kalaja në Durrës – që humbi ndaj Arjan Ndojës – si dhe Frrok Gjini i PS-së në Shkodër, janë ndër emrat që i janë bashkuar kësaj vale dyshimesh dhe kërkesash për transparencë.
Burime brenda subjekteve politike pranojnë se në disa raste, kandidatët dyshojnë jo vetëm te kundërshtarët, por edhe te kolegët brenda së njëjtës forcë politike, duke ngritur akuza të heshtura për “hile” të brendshme për të favorizuar kandidatë të tjerë.
Ndërsa KQZ pritet të shqyrtojë kërkesat dhe të vendosë mbi to, është e qartë se besimi në integritetin e procesit po sfidohet edhe nga brenda partive. Rritja e numrit të këtyre rasteve po shndërrohet në një tendencë që hedh hije mbi garën zgjedhore dhe sjell në vëmendje nevojën për më shumë transparencë në çdo hallkë të procesit elektoral.







