FLASH :

Qëndresa Qytetare: 42% e familjeve shqiptare në rrezik varfërie. Eurostat dhe Numbeo nuk çertifikojnë cilësinë e jetes!

Shqipëria vijon të jetë një nga vendet më të varfra në Evropë, me 42% të familjeve në rrezik varfërie, sipas Eurostat. Studimet e Numbeo dhe Eurostat nxjerrin në pah sfidat e mëdha ekonomike dhe sociale që përballen qytetarët shqiptarë, duke treguar se vendi mbetet prapa edhe në krahasim me fqinjët e Ballkanit.


Ndonëse jemi mësuar që të dalim kampionë në shumë fusha, Eurostat dhe Numbeo, në studimet e tyre ekspozojnë varfërinë e familjeve shqiptare.
Një studim i fundit i Eurostat del në përfundimin se Shqipëria kryesoi Europën për nivelin e lartë të popullsisë rreth 42 për qind që është në rrezik për të qenë e varfër pasi vuan nga një formë e rëndë e përjashtimit social.
Të dhënat referojnë se më shumë se 1 milionë shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë, çka në raport me numrin e popullsisië është tregues i varfërisë së skajshme të familjeve shqiptare.


Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30%. Ndërkohë një tjetër studim që është i vitit 2025, Numbeo duke iu referuar kostove të jetesës, treguesit e çmimeve të banesave, shkallën e perceptuar të krimit, cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe shërbimit në spital, cilësinë e transportit dhe statistika të tjera të ndryshme kyçe, e rëndit Shqipërinë, në vendin e 75, duke lënë pas vetëm vendet aziatike si Pakistani, Indonezia, Kenia, Libani, Filipinet.


Ndërkohë në këtë raport Ukraina që është në luftë renditet në vendin e 68, teksa Mali i zi dhe Maqedonia janë më lart se vendi ynë.
Një ndër problemet kryesore vijon të mbetet raporti i zhdrejtë i pagave dhe shpenzimeve, si dhe ekonomia informale, që është kthyer në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit.


Kjo është ndër arsyet kryesore se pse përse çdo vit përkeqësohet renditja e Shqipërisë në studimet e Numbeos si dhe në themel të eksodit biblik të shqiptarëve.
Ky realitet do duhej të kishte qenë kryefjalë e fushatës elektorale në 11 Maj, fushatë që u mbizotërua nga sulmet personale dhe banaliteti, duke bërë që të mos jetë në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve.