Një ish-kozmetiste britanike, Muriel Middle, 79 vjeçe, ka humbur shtëpinë pas një beteje ligjore të hidhur me fqinjët për një gardh kopshti që kushtonte vetëm 300 paund. Pas dy dekadash jetë të qetë në Pontyclun të Uellsit Jugor, ajo është përballur me falimentim, ndërsa vajza e saj, Sam, një zjarrfikëse, është detyruar të blejë shtëpinë për të shpëtuar nënën nga kolapsi financiar.
Gjithçka nisi kur fqiu i ri, biznesmeni Alexander Miles, filloi punime në shtëpinë ngjitur dhe hoqi disa dërrasa të gardhit për të aksesuar një tub uji. Zonja Middle kundërshtoi, duke pretenduar se tubi ishte në pronën e saj dhe zëvendësoi dërrasat e gardhit. Konflikti degradoi deri aty sa u thirr edhe policia, ndërsa Miles ngriti padi duke pretenduar se gardhi ishte i tij dhe dërrasat e reja nuk përputheshin me të vjetrat.
Në gjyqin civil në Cardiff, ku Muriel dhe vajza e saj nuk patën përfaqësim ligjor për shkak të mungesës së fondeve, gjykata i dha pjesërisht të drejtë fqinjit, duke urdhëruar zonjën Middle të paguante 15 mijë paund për shpenzimet ligjore të tij – shumë që më pas u rrit në 20 mijë paund. Për të shmangur shitjen me detyrim të shtëpisë, Sam mori kredi dhe bleu pronën e nënës së saj.
“Jam 79 vjeçe, kam humbur burrin dhe një vajzë, kam punuar gjithë jetën për këtë shtëpi, dhe tani më morën gjithçka për 11 dërrasa. Nuk ndjej më drejtësi, nuk kam as për një kafe kur dal,” tha Muriel, në prag të lotëve. Ndërkohë, fqiu Miles ka refuzuar të komentojë për mediat.
Në përfundim, nënë e bijë planifikojnë të largohen nga banesa, e cila dikur pritej t’i lihej trashëgimi Samit – një simbol i mundit të jetës së Murielit, i shkatërruar nga një grindje për ngjyrën e një gardhi.













