Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS) ka nisur një skemë të re për të identifikuar njerëzit që mund të jenë infektuar pa dijeni me hepatit C nga transfuzionet e gjakut të kryera përpara vitit 1996.
Sipas njoftimit, të gjithë personat mbi 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në një qendër shëndetësore në Angli do të pyeten nëse kanë marrë gjak përpara këtij viti. Nëse po, atyre do t’u ofrohet një test për hepatit C — një virus i rrezikshëm që shpesh nuk jep simptoma për dekada, ndërkohë që dëmton seriozisht mëlçinë.
Skema vjen si reagim ndaj rekomandimeve të Infected Blood Inquiry, e cila zbuloi se mbi 30,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar janë infektuar me HIV dhe hepatit C gjatë transfuzioneve të kontaminuara që nga vitet ’70 deri në fillim të viteve ’90. Mbi 3,000 kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë jetojnë me pasoja të rënda shëndetësore.
Kryeministri Rishi Sunak ka kërkuar ndjesë publike dhe ka shpallur një paketë kompensimi prej 11.8 miliardë paund. Megjithatë, deri më tani vetëm 77 persona kanë përfituar pagesa, ndërsa mbi 140,000 mund të jenë të drejtëpërdrejtë për kompensim.
Skema e re do të përfshijë rreth 400,000 qytetarë çdo vit, të cilëve do t’u kujtohen situatat ku mund të kenë marrë gjak, si operacione, aksidente apo lindje të komplikuara. Nëse diagnostikohen, trajtimi antiviral i cili zgjat vetëm disa javë, rezulton efektiv në mbi 90% të rasteve.
Drejtori Kombëtar Mjekësor i NHS, Prof. Sir Stephen Powis, e cilësoi këtë si një hap kyç për të gjetur dhe ndihmuar ata që kanë mbetur të padiagnostikuar. Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë Ashley Dalton e quajti këtë “një nga padrejtësitë më të rënda që ka parë ndonjëherë vendi”.
Një raport i ri mbi vonesat në dëmshpërblimet për viktimat pritet të publikohet më vonë gjatë këtij viti.










