FLASH :

“Parajsa jonë po shkatërrohet”: Protesta masive kundër turizmit në Ishujt Kanarie – turistët të trembur mbyllen në dhoma

TENERIFE – Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Ishujve Kanarie këtë fundjavë për të kundërshtuar ndikimin shkatërrues të turizmit masiv në arkipelag. Nga orët e paradites, demonstrata të mëdha shpërthyen në Tenerife, ku aktualisht mijëra britanikë po kalojnë pushimet, duke detyruar shumë turistë të qëndrojnë të mbyllur në dhomat e tyre për shkak të frikës nga trazirat.

“Jam i ngujuar në Airbnb. Nuk guxoj të dal nga frika. Shpresoj të mos bëhen të dhunshëm,” tha për MailOnline Alberto Babo, 32 vjeç, një turist nga Irlanda.

Thirrjet: “Paratë e turizmit, ku janë?” – “Mjerimi im është parajsa jote”

Protestuesit, të pajisur me daulle dhe brirë tradicionalë detarë, marshuan me pankarta ku lexohej:

  • “Ndalo turizmin e tepruar – kjo është shtëpia jonë”
  • “Turistët notojnë në mut” (duke iu referuar ndotjes së detit me ujëra të zeza nga hotelet)
  • “Mos ua shitni shtëpitë ‘guirive’” – ku guiri është një term përbuzës për turistët, sidomos britanikët.

Protesta e pakënaqësisë: ‘Kanaret kanë një kufi’

Lëvizja “Canarias tiene un límite” (Kanaret kanë një kufi), që organizoi protestën, ka refuzuar ofertën e qeverisë për dialog. “Dialog? Ne duam veprime. Pjesa tjetër janë përpjekje për të zbutur atë që po vjen: një kryengritje sociale që kërkon një model të drejtë për ishujt,” thuhej në deklaratën e tyre.

Pse janë kaq të zemëruar banorët lokalë?

Protestuesit thonë se ishujt, me një popullsi prej vetëm 2.2 milionë banorësh, nuk mund të përballojnë më fluksin e 18 milionë turistëve në vit. Pasojat, sipas tyre, janë katastrofike:

  • Kriza e strehimit: Mijëra apartamente të dhëna me qira nëpërmjet Airbnb kanë rritur çmimet e qirasë dhe kanë zhdukur banesat për vendasit.
  • Blerjet masive nga të huajt: Shtëpitë blihen nga të pasurit e huaj, duke nxjerrë vendasit jashtë tregut.
  • Ndotja e mjedisit: Shumica e ujërave të ndotura që shkarkohen në det vijnë nga objektet turistike.
  • Ndërtime pa kontroll: Aktivistët kërkojnë ndalimin e çdo hoteli të ri dhe shembjen e projekteve të paligjshme luksoze si Cuna del Alma dhe La Tejita.
  • Taksa turistike ekologjike: Aktivistët kërkojnë një taksë të fortë mjedisore për të financuar mbrojtjen e natyrës.

Frikë mes turistëve – rënie e ndjeshme e rezervimeve britanike

Frika dhe tensioni janë reflektuar tashmë në turizëm: rezervimet nga Britania për këtë verë kanë rënë me 8% në Tenerife, sipas Santiago Sese, president i Dhomës së Tregtisë. Ai paralajmëroi se konkurenca nga vende si Turqia, Egjipti, Greqia dhe Maroku po ndikon gjithnjë e më shumë.

Ministri i Turizmit i Tenerife, Lope Alfonso, ka deklaruar se do të nisë një proces dialogu me protestuesit për të gjetur “një balancë midis interesave të banorëve dhe turistëve”, megjithëse lëvizja duket se nuk ka besim në premtimet qeveritare.