Një ish-drejtore e një qendre përkujdesjeje ka treguar se si u përjashtua nga komuniteti i saj, pasi u arrestua gabimisht për plagosjen e dy adoleshentëve me një armë ajrore megjithëse policia konfiskoi një armë nga shtëpia e fqinjit të saj ndërsa ajo po merrej në pyetje.
Mandy French, 55 vjeçe, u përball me një makth të vërtetë në qytetin bregdetar Hemsby të Norfolk-ut, pasi paralajmëroi disa djem që po luanin mbi duna të brishta rëre përballë shtëpisë së saj. Pak më pas, policia ndërhyri dhe e arrestoi, duke e akuzuar se kishte qëlluar dy prej djemve 13-vjeçarë njëri prej të cilëve kërkoi trajtim në spital.
French qëndroi nën hetim për tre muaj, deri sa fqinj i saj, Jason Davis, 51 vjeç një pedofil i dënuar më parë u arrestua dhe më pas u dënua me dy vjet burgim për këtë ngjarje.
“Nuk do ta kuptoj kurrë pse u arrestova unë, kur pashë me sytë e mi që policët nxorën nga shtëpia e Jason armën ajrore”, rrëfen zonja French. Ajo thotë se në shtëpinë e saj u sekuestrua një armë dekorative, që në fakt ishte një mbajtëse për hiri, dhe që tashmë i është kthyer.


French, e cila vuante nga ankthi dhe kishte zgjedhur të jetonte në një zonë të qetë për arsye shëndetësore, thotë se u bullizua dhe u përjashtua nga fshati ku jetonte:
“Nuk mund të ecja më me qenin tim Hendrix nëpër fshat. Ndiqesha nga paragjykimet, askush nuk më besonte, isha krejtësisht e vetmuar.”
Ngjarja ndodhi më 4 maj të vitit të kaluar, kur disa banorë vunë re djemtë duke luajtur në një zonë me rrezik nga erozioni bregdetar. Sipas dëshmive, grupi jo vetëm kishte ngjitur dunat, por edhe kishte urinuar në publik dhe kishte treguar pjesë intime kur u përball me French.
Pas një debati verbal, French shkoi në shtëpi dhe kontaktoi parkun ku pushonin djemtë. Në kthim, dy prej tyre ishin qëlluar por ajo nuk e dinte.
“Kur pashë policinë në plazh mendova se dikush kishte njoftuar për fjalët që u thashë fëmijëve. Nuk besoja se kishte ndodhur ndonjë e shtënë. Ishte e pabesueshme dhe tronditëse”, tha ajo.
Pavarësisht se e kishte parë vetë që arma u mor nga shtëpia e Davis, ajo u shoqërua në komisariat dhe u mor në pyetje. Djali i plagosur u dërgua në spital nga prindërit dhe u la i lirë të njëjtën ditë.
Vetëm në korrik Davis u arrestua, ndërsa në shtator u ngrit zyrtarisht akuza ndaj tij. Më 21 shkurt 2025, ai doli para gjykatës së Norwich ku pranoi fajësinë për posedim të armës, për dy akuza plagosjeje dhe për thyerje të urdhrit për mbrojtje nga dëmi seksual (Sexual Harm Prevention Order).
Dosja penale e Davis përfshin një dënim të mëparshëm prej 12 vjetësh për abuzim seksual sistematik ndaj tre të rinjve në vitet ’90. Ai ishte shpallur fajtor për nëntë tentativa përdhunimi, tetë sulme të pahijshme dhe një akt të rëndë indecence.
Zonja French thotë se Davis ka tentuar ta fajësojë për ngjarjen dhe se është tallur nga banorët e zonës:
“Njerëzit më shikonin si fajtore. Ishte e tmerrshme të besoje që ata mendonin se unë do të isha në gjendje të bëja diçka të tillë.”
Ndërkohë, qeni i Davis, një alsatian i quajtur Rufus, u shpëtua këtë muaj nga autoritetet pasi fqinjët u ankuan se ishte lënë pa kujdes që prej burgosjes së pronarit.
Policia e Norfolk-it nuk pranon të ketë ndonjë ankesë të regjistruar për trajtimin ndaj zonjës French. Në një deklaratë për MailOnline, zëdhënësja tha:
“Nëse një qytetar është i pakënaqur me sjelljen e një punonjësi policie apo dëshiron të bëjë ankesë, ne i inkurajojmë të na kontaktojnë drejtpërdrejt.”

