FLASH :

EMRAT/ Vrau shqiptarin në Greqi në 2010-n dhe i mori 150 mijë euro, shkon në gjyq Dritan Hoxha

Dritan Hoxha është arrestuar në Tepelenë për vrasjen e Andon Veshajt në vitin 2010. Ai është vënë në pranga pasi ndaj tij u caktua arrest me burg në mungesë sepse dyshohet për vrasje me paramendim të ndodhur në Greqi.

Ngjarja për të cilën akuzohet Hoxha ka ndodhur më 17 Maj të viti 2010. Në bashkëpunim me një shqiptar tjetër të quajtur Besim Besimaj, i arrestuar në Greqi, ata kanë dhunuar një bashkëpatriot në zonën e Larisës.

Si pasojë Andon Veshaj ka ndërruar jetë. Më pas e kanë transportuar trupin e pajetë në një vend tjetër ku është gjetur nga policia ditën tjetër.

‘Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 17.05.2010, në zonën e Larisës, Greqi, shtetasi Dritan Hoxha, në bashkëpunim me shtetasin shqiptar Besim Besimaj (arrestuar në shtetin grek), kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit shqiptar Andon Veshaj, i cili si pasojë e dëmtime të marra ka ndërruar jetë. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, dy të dyshuarit, e kanë futur trupin e viktimës në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur atë në një vend tjetër, të pabanuar, ku është gjetur nga autoritetet policore greke, ditën e nesërme, më datë 18.05.2010’, njoftoi policia.

Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës e cila kishte marrë në dorë hetimin e kësaj çështje pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Gjirokastrës, ka çuar çështjen në gjyq.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

Rrahën për vdekje shtetasin A.V. në Greqi, Prokuroria Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.H. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin D.H. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit mbi procedimin penal nr. 4139 të datës 30.06.2023. rezultoi se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin B. B., kanë shkaktuar vrasjen e shtetasit A. V. në krahinën e Larisës në Greqi më 17.05.2010.

Hetimet nisën në vitin 2017 pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili denoncoi se nipi i tij u gjet i rrahur për vdekje brenda makinës së tij.

Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi D. H. kishte njohje me viktimën dhe natën e krimit kanë qenë në të njëjtin bar që administrohej nga viktima duke konsumuar alkool. Prokuroria provoi se ata janë larguar në të njëjtën kohë dhe nga tabulatet telefonike rezultoi se autori ka komunikuar me bashkëpunëtorin tjetër shtetasin B.B. Të dy këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike duke e goditur në këmbë, duar e pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dhunës, viktima ndërroi jetë. Pas këtyre akteve, ata e kanë futur viktimën në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur nga vendi i ngjarjes.

Natën e ngjarjes, viktima ka pasur tre çeqe me vlerë 150 mijë euro me vete. Ai humbi jetën si pasojë e goditjeve të rënda të kokës.

Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi e provuar se shtetasi D.H. ka konsumuar në bashkëpunim me shtetasin B.B. kanë kryer veprën penale të‘Vrasjes me paramendim’ në dëm të viktimës A. V.