Pesë ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, ku Partia Demokratike pësoi një humbje të thellë, qindra simpatizantë dhe mbështetës janë mbledhur sot në bulevardin “Zogu i Parë”, pranë Ministrisë së Drejtësisë, rreth 700 metra larg Sheshit Skënderbej, ku po mbahet samiti i liderëve evropianë.
Protesta, sipas organizatorëve, ka si qëllim mbrojtjen e votës së lirë dhe denoncimin e asaj që opozita e quan “masakër zgjedhore”.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka kontestuar rezultatin e 11 majit, duke akuzuar Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama për manipulim dhe vjedhje të votave. “Zgjedhjet u vodhën. Vullneti i qytetarëve u përmbys me skema mafioze,” është shprehur Berisha në fjalën drejtuar protestuesve.
Sipas drejtuesve të Partisë Demokratike, së shpejti do të publikohen prova të reja që, sipas tyre, vërtetojnë manipulimin sistematik të procesit zgjedhor.