Një konflikt mes dy adoleshentëve ka përfunduar në dhunë të rëndë fizike në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku një 14-vjeçar ka plagosur me thikë një 15-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur pas një përplasjeje verbale që, sipas burimeve, kishte nisur më herët në rrjetet sociale dhe ishte kthyer në shkak të përsëritur tensioni mes dy të miturve.
I plagosuri ka marrë goditje me mjet prerës në krah dhe në bark, ndërsa aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal të Korçës, ku po trajtohet për plagët e marra.
Autori, pas ngjarjes, është larguar në banesën e tij dhe ka fshehur armën e krimit – një thikë – e cila më pas është sekuestruar nga policia.
Burime nga policia bëjnë me dije se 14-vjeçari ka pranuar që kishte pasur më parë konflikte me viktimën, për shkak të një zënke në rrjetet sociale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin lokal për shkak të moshës së përfshirë dhe dhunës së përdorur.







