FLASH :

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, Vjosa Osmani nga Tirana: Përtej fjalëve të bukura, duhet të ketë veprime konkrete! Shtete anëtare krijojnë komplikime të panevojshme

Presidentja Vjosa Osmani, teksa mbërriti në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian, është shprehur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ende nuk është shqyrtuar.

“Më me rëndësi se sa bisedimet me Serbinë, janë ato ndërmjet Kosovës dhe BE, siç e dini Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para 2 viteve. Për fat të keq ende nuk është shqyrtuar për shkak të disa komplikimeve të panevojshme politike që krijohen nga disa shtete anëtare. Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që i jepen shteteve aspiruese për anëtarësim të ketë veprime konkrete”, tha ajo.

Osmani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, para vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Më parë duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”, ka thënë Osmani në Tiranë, ku ndodhet për të marrë pjesë në samitin njëditor të Komunitetit Politik Evropian.

“Këtë e kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës së organizuar nga ana e BE-së, dhe do ta kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut”, është shprehur presidentja e Kosovës.

Osmani ka thënë se “Kosova është gjithnjë e gatshme dhe konstruktive që të marrë pjesë në këtë proces”, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 pas rritjes së tensioneve në veri të vendit dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.