Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka hapur procesin e aplikimit online për rezervimin e biletave për ndeshjen Shqipëri – Serbi, që do të luhet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Megjithë procedurën ku tifozët duhet të aplikojnë online dhe më pas të njoftohen nëse janë fitues për të marrë biletë, çmimet e biletave kanë ngjallur zemërim. Në sfondin e rivalitetit të fortë dhe emocioneve përballë Serbisë, FSHF ka vendosur çmime mjaft të larta.
Në pjesën më të madhe të stadiumit biletat shiten për 150 mijë lekë të vjetër, ndërsa tribunat kryesore kushtojnë nga 200 mijë deri në 400 mijë lekë të vjetër. Një pjesë e vogël e tifozëve do të mund të blejnë bileta edhe për 20-30 mijë lekë të vjetër, në tribunat pas porte.
Për krahasim, një biletë për finalen e Ligës së Kampionëve mes Interit dhe PSG-së në Mynih kushton rreth 70 euro, ndërsa ndeshjet normale në këtë kompeticion janë me çmime shumë më të ulëta.
Në total, kapaciteti i “Arenës Kombëtare” është 22 mijë vende, por UEFA ka vendosur që FSHF të shesë vetëm 80% të biletave për shkak të sjelljeve të tifozëve në ndeshjen kundër Andorrës, duke ulur kështu në rreth 18 mijë numrin e biletave në dispozicion.
Fituesit e biletave do të përzgjidhen automatikisht përmes aplikimit online, ndërsa interesi i tifozëve për këtë duel mbetet i lartë, duke krijuar radhë të gjata në faqen zyrtare të FSHF-së.
