Zak Wilkinson, 32 vjeç, lufton për jetën pas dy vitesh përdorimi të steroideve, që i kanë shkaktuar dëmtime serioze shëndetësore
Një bodybuilder i apasionuar u përball me një krizë të rëndë shëndetësore pas më shumë se dy vitesh përdorimi të steroideve anabolike, drogë e njohur për efektin e saj në rritjen e masës muskulore, por me efekte anësore shumë të rrezikshme. Zak Wilkinson, 32 vjeç, ka shpenzuar mbi 35,000 paund për këto medikamente dhe ka injektuar veten deri në tri herë në ditë.
Steroidet, të cilat imitojnë veprimin e testosteronit, hormoni i cili stimulojnë rritjen muskulore, janë bërë një fenomen shqetësues mes të rinjve, pjesërisht për shkak të ndikimit të mediave sociale dhe problemeve me imazhin trupor. Por përdorimi i tyre vjen me pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë rrezikun e sulmeve në zemër, dëmtimit të veshkave dhe komplikacione të tjera serioze.
Më 23 mars 2022, pas një periudhe intensive steroide, Wilkinson pësoi sulme konvulsive, të vjella dhe djersitje të tepërta. Ai u transportua në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin James Cook në Middlesbrough, ku u fut në koma mjekësore për një javë. Mjekët e cilësuan mbijetesën e tij si “mrekulli”.
Zak rrëfeu se kishte nisur përdorimin e steroideve që nga mosha 16 vjeç, pas vuajtjes së një çrregullimi psikologjik të quajtur body dysmorphia — një shqetësim që e bën njeriun të jetë i fiksuar pas defekteve të supozuara trupore. Ai tha se mediat sociale e kishin shtyrë drejt një gare të pashëndetshme për përsosmërinë trupore, duke çuar në izolim social dhe ndarje nga familja.
Sot, Wilkinson po përballet me pasoja afatgjata shëndetësore. Ai merr medikamente për ankth, pagjumësi dhe epilepsi, dhe vazhdon kontrolle të shpeshta mjekësore, duke përfshirë skanime të trurit dhe analiza të gjakut. Gjithashtu, ai ka zhvilluar posttraumatik sindromën e stresit (PTSD), çrregullime të ushqyerjes dhe epilepsi të shkaktuar nga koma.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i steroideve është në rritje mes të rinjve, dhe e lidhin këtë trend me ndikimin e fortë të mediave sociale, ku imazhi trupor luan rol qendror. Profesor Adam Taylor nga Universiteti i Lancaster-it tha:
“Rritja e përdorimit të steroideve për performancë është shqetësuese. Ka rrezik për sulme në zemër, dëmtime në tru dhe probleme të tjera afatgjata. Rastet si ky tregojnë qartë pasojat e këtyre barnave.”
Studimet e fundit tregojnë se përdoruesit e steroideve kanë 300% më shumë rrezik për vdekje në 20 vitet e ardhshme, krahasuar me popullsinë e përgjithshme.
Zak Wilkinson ka bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe hapje debati mbi përdorimin e steroideve, duke theksuar tabunë që ekziston për këtë temë midis burrave dhe komunitetit të palestrave:
“Këto muskuj nuk ia vlejnë koma, konvulsionet dhe traumën që u shkaktua familjeve tona. Dua të tregoj historinë time që të tjerët të shmangin rrugën që ndoqa unë.”











