Një deklaratë e pazakontë nga Gerti Metani, kandidati i Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, në një emision në Vizion Plus ka minimizuar në mënyrë qesharake faktin që sipas tij 50 euroshi që ka dhënë partia e tij nuk janë blerje vote. Ai ka pohuar se “50 euro nuk janë blerje vote”.
Ironikisht, kjo vjen nga një kandidat i një partie që është përfshirë në hetime të shumta nga SPAK për blerje votash, që nga Kukësi, Fieri, Malësia e Madhe e deri në Koplik, ku përmendim dhe faktin që shoferi i Doshit është kontrolluar dhe i është sekuestruar telefoni. Kjo deklaratë ngre pyetjen: nëse 50 euro nuk quhen blerje vote, sa është shuma që e bën atë të tillë? 100, 200, apo edhe më shumë?
Në një vend ku një pjesë e madhe e popullsisë jeton në varfëri të thellë, është e papranueshme të normalizosh një fenomen i tillë. Për shumë qytetarë, edhe një shumë më e vogël se 50 euro mund të jetë një tundim i madh. Por justifikimi i kandidatit të Doshit duket më shumë si përpjekje për të mbrojtur një realitet të njohur, ku vota ka një çmim.
Madje, Metani ka tentuar të devijojë vëmendjen duke përmendur akuza për PS-në dhe çështjen e radarëve që “fiken për të kaluar kokaina drejt BE-së”. Por këto justifikime nuk ndryshojnë faktin që normalizimi i blerjes së votave është një fyerje për qytetarët dhe për procesin demokratik.
“50 euro është ajo kafja që pi pasi ke ngrënë një drekë të mirë,” thotë Metani. Por për shumë shqiptarë, ajo “kafe” mund të jetë gjithçka që kanë për një apo më shumë ditë të të ra.







