FLASH :

Kur Zgjidhet Papa dhe Kur Zgjidhet Rama

Nga Maksi Çami

Nga larg, tymi i bardhë që del mbi Vatikan simbolizon diçka të rrallë: shpresën. Një burrë i vjetër, me zemër të lodhur nga dashuria për njerëzimin dhe mendje të formuar nga reflektimi teologjik, ngrihet si PAPA, pasardhës i Shën Pjetrit, udhëheqës shpirtëror i më shumë se një miliard njerëzve. Në këtë zgjedhje, nuk ka fushatë. Nuk ka spote televizive. Nuk ka premtime për legalizime ndërtimesh apo për thasë me miell. Ka vetëm lutje, heshtje dhe një shpresë të sinqertë që udhëheqësi i ri të jetë më afër Zotit, simbol i një bote që ende kërkon dritën.

Ndërkohë, në një cep të Ballkanit, del tym i zi, i rëndë, helmues. Është tymi i tenderëve të djegur, i parave të zhdukura në inceneratorë, i pasurive të vendosura në emra të kunetërve dhe drejtorëve 5D e 500D që bëjnë jetën e derrave të Orwellit në vendin më të varfër të Europës. Në Tiranë, nuk zgjidhet një njeri i përkushtuar ndaj të mirës së përbashkët. Zgjidhet një i akuzuar prej 97-ës si hajduti që i lëshon shokët, manipuluesi me fjalë banale dhe shpirt të thatë.

Papa vesh të bardha si simbol i pastërtisë. Rama vesh kostume të qepura me para publike, mbuluar me pallto hipokrizie dhe fjalë të stërpërdorura si “progres” e “rilindje”. Papa puth këmbët e të varfërve. Ramës i puthin këmbët ministrat e pangopur. Papa kërkon falje në emër të Kishës për mëkatet e saj. Rama bën selfie me çdo krim të pushtetit të vet dhe e vë në kornizë.

Papa, del para botës me një mesazh paqeje, faljeje, përkushtimi. Rama, edhe pse i mbingopur nga pushteti, del çdo ditë me një batutë tallëse për popullin e vet që ka humbur aftësinë për të bërë dallimin mes tragjedisë dhe farsës. Kjo nuk është vetëm një ndarje mes dy figurash. Është ndarja midis dy botëve, midis moralit dhe ndytësisë, midis shërbimit ndaj të tjerëve dhe shfrytëzimit të të tjerëve.

Pikërisht këtu qëndron kontrasti më therës: Njëri shërben, tjetri shfrytëzon. Njëri ngrihet mbi sakrificën, tjetri ulet mbi kurrizin e të tjerëve. Por më therëse akoma është përgjigja për pyetjen më të dhimbshme: Pse ndodh kjo? Pse shqiptarët zgjedhin përsëri të keqen? Pse ne konfirmojmë pa asnjë mëdyshje një figurë që mishëron banalitetin, arrogancën, mashtrimin dhe babëzinë?

Një popull që dikur i këndonte nderit, sot lavdëron banditizmin. Një popull që dikur turpërohej për poshtërsinë, sot e ndan atë në rrjete sociale si sukses. Më e dhimbshmja është se nuk është më propaganda ajo që e mban këtë popull nën pushtet. Jo. Është apatia, është nënshtrimi, është një dorëzim i turpshëm që e ka kthyer popullin tonë në një trup pa shpirt. Nuk kemi më nevojë për diktatorë. Sepse kemi frikë nga liria, nga përgjegjësia e mbi të gjitha kemi harruar të mirën. Askush nuk beson më as te ai që flet, as te vetja që dëgjon.

Ndërsa kardinalët zgjodhën Papën, të udhëhequr nga një ndjesi kolektive për të përfaqësuar më të mirën që njeriu mund të arrijë në këtë jetë, shqiptarët zgjedhin Ramën. Sepse mendojnë se çdo alternativë është një gënjeshtër, dhe më mirë një gënjeshtar i vjetër, sesa një tjetër. Duket sikur shqiptarët janë mësuar ta duan poshtërimin e tyre, e kanë bërë pjesë të identitetit. Nuk kërkojnë më drejtësi, kërkojnë spektakël. Në fund, kur Papa del në ballkon, të gjithë qajnë nga emocionet e përulësisë. Kur Rama del në ekran, populli qesh nga histeria e injorancës.

Dhe ky është dallimi i vetëm që ka rëndësi: Njëri zgjohet çdo ditë për t’i shërbyer Zotit dhe njerëzimit. Tjetri nuk fle pa i rikujtuar se në sa guaska i ka fshehur paratë. Njëri udhëheq shpirtra. Tjetri i zhvesh nga çdo iluzion shprese. Pleqt e urtë të besimit zgjedhjin me parimin “Solum Deum prae oculis”, vetëm Zotin përpara syve. Po populli shqiptar që e ka harruar frikën ndaj Zotit? Ndoshta, më e keqja nuk është që kemi zgjedhur të keqen, por që e kemi përqafuar, me parimin: “Le të jetë kështu, se më mirë nuk meritojmë.”