FLASH :

Vëllezërit Menendez pranojnë plotësisht fajin pas dekadash gënjeshtrash dhe bëhen të pranueshëm për lirim me kusht

Vëllezërit Erik dhe Lyle Menendez morën përgjegjësi të plotë për vrasjen e prindërve të tyre, vetëm pak çaste para se një gjykatës në Los Angeles të pranonte t’u rishikonte dënimin – kundër këshillës së autoriteteve shtetërore.

Në vitin 1989, kur ishin 18 dhe 21 vjeç, ata qëlluan për vdekje prindërit e tyre, Jose dhe Kitty Menendez, në vilën e tyre luksoze në Beverly Hills. Ata pohuan se akti ishte rezultat i viteve të abuzimit seksual nga babai i tyre, të cilin nëna e kishte injoruar.

Në seancën e së martës, Lyle deklaroi: “Marr përgjegjësi të plotë. I vrava prindërit e mi. Ishte zgjedhja ime.” Ai shprehu turp të thellë dhe pranoi se kishte manipuluar drejtësinë. Edhe Erik tha: “Gënjeva policinë, familjen. Qëllova pesë herë dhe pastaj rifillova. Jam thellësisht i penduar.”

Pavarësisht kundërshtimit të Prokurorit të ri të Qarkut të LA, Nathan Hochman, i cili tha se vëllezërit nuk kishin treguar pendesë të plotë, gjykatësi Michael Jesic vendosi t’u japë një mundësi: ai e ndryshoi dënimin e tyre nga burgim i përjetshëm pa lirim me kusht në 50 vjet deri në burgim të përjetshëm – duke i bërë menjëherë të pranueshëm për lirim me kusht sipas ligjit të Kalifornisë për delikuentët e rinj.

Familjarët e tyre, përfshirë kushërinj që dëshmuan në gjykatë, e përshëndetën vendimin si “drejtësi e vonuar”. Ata pohuan se vëllezërit janë “universalisht të falur” nga familja. Fëmijët e tyre, përfshirë vajzën e gruas së Erik-ut, publikuan mesazhe entuziaste në rrjetet sociale.

Fillimisht, vëllezërit u arrestuan shtatë muaj pas vrasjes, pasi dyshimet u rritën nga shpenzimet e mëdha me trashëgiminë e prindërve: makinë luksoze, restorante dhe orë të shtrenjta. Prokurorët i akuzuan për vrasje nga lakmia, ndërsa ata pretenduan se kishin vepruar për shkak të traumës dhe abuzimit të vazhdueshëm.

Në gjyqin e parë, juria nuk arriti një vendim. Në të dytin, më 1996, gjykatësi ndaloi përfshirjen e provave të abuzimit, dhe ata u dënuan përjetë pa të drejtë parole. Sot, pas më shumë se 35 vitesh, falë dokumentarëve dhe serialeve si “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story” në Netflix, rasti ka marrë vëmendje të re dhe ka rikthyer debatin mbi drejtësinë dhe rehabilitimin.

Ndërkohë, bordi i lirimit me kusht pritet të shqyrtojë aplikimin e tyre. Gjykatësi Jesic tha: “Nuk po them se duhet të lirohen, por mendoj se kanë bërë mjaftueshëm për të merituar një shans.”