FLASH :

Shpërthen një laborator droge duke vrarë një trafikant kanabisi dhe një fëmijë 7-vjeçar që flinte në banesën sipër

Pamje dramatike tregojnë momentin kur një laborator droge “jashtëzakonisht i rrezikshëm” shpërtheu në Newcastle më 16 tetor 2023, duke shkaktuar vdekjen e një trafikanti dhe të voglit Archie York, 7 vjeç, që flinte në apartamentin sipër.

Shpërthimi u shkaktua nga trafikanti Reece Galbraith dhe bashkëpunëtori i tij Jason “Jay” Laws, të cilët po prodhonin ëmbëlsira me kanabis dhe një formë shumë të përqendruar të tij të quajtur “shatter”. Laws vdiq në vend, ndërsa Galbraith u dënua me 14 vite burg.

Në gjykatë, nëna e Archiet, Katherine Errington, shpërtheu në lot dhe i bërtiti Galbraith-it: “Ti vrave djalin tim.” Ajo tregoi se familja flinte mbi apartamentin ku trafikantët prodhonin lëndën narkotike, pa e ditur rrezikun që fshihej poshtë tyre.

Shpërthimi shkatërroi gjysmën e ndërtesës me 12 apartamente, la të pastrehë dhjetëra banorë dhe solli një dëm prej mbi 3.7 milionë paundësh. Ekspertët gjetën mbi 100 bombola butani dhe pajisje të sofistikuara në apartament, ndërkohë që zbulimet treguan se Galbraith dhe Laws e kishin kthyer vendin në një laborator të paligjshëm droge për përfitime financiare, me rrezik të madh për komunitetin.

Procesi i prodhimit të “shatter” – një përqendrim i lartë kanabisi që përpunohet me gaz butani – është tepër i rrezikshëm dhe shpesh përfundon në shpërthime. Policët e quajtën atë që ndodhi “katastrofë totale”, duke theksuar se kushdo që mendon të prodhojë këtë lloj kanabisi duhet të tërhiqet menjëherë.

Hetuesit theksuan se dënimi i Galbraith duhet të shërbejë si paralajmërim për të tjerët. “Jeta e Archiet u shua pa faj. Ai flinte mbi një bombë me sahat,” deklaroi një detektive.

Komisionerja e Policisë, Susan Dungworth, përfundoi: “Shpresoj që kjo tragjedi të shërbejë si një mësim i dhimbshëm për të gjithë. Të mos lejojmë që një fëmijë tjetër të humbasë jetën për shkak të lakmisë dhe papërgjegjshmërisë.”