FLASH :

“Askush nuk duhet të bëhet i ve në këtë moshë” – Gratë që humbën bashkëshortët 32-vjeçarë kërkojnë kontrolle të detyrueshme për të rinjtë

Një grua nga Oxfordshire ka rrëfyer dhimbjen e thellë për humbjen e bashkëshortit të saj 32-vjeçar nga një sëmundje e fshehur të zemrës — dhe kërkon që NHS të nisë kontrolle të detyrueshme për të rinjtë për të parandaluar vdekje të tilla të papritura.

Laura Burr, 31 vjeç, nga Banbury, humbi bashkëshortin e saj Edward vetëm gjashtë muaj pas ditës së tyre të dasmës, kur ai ndërroi jetë në tetor 2024 nga dështimi i zemrës. Simptomat e para kishin filluar menjëherë pas dasmës, kur ai ndjeu lodhje dhe menduan se kishte marrë një virus. Pas disa javësh, ai u diagnostikua me pneumonia, por në spital u zbulua se zemra e tij po funksiononte në mënyrë jonormale.

Edward iu nënshtrua një operacioni të hapur në zemër në korrik dhe iu vendos një pajisje ndihmëse për të pompuar gjakun. Megjithatë, lista e pritjes për transplant ishte shumë e gjatë dhe ai ndërroi jetë nga dështimi i shumëfishtë i organeve.

Gjatë qëndrimit në spital, mjekët zbuluan se Edward vuante nga kardiomiopatia e zgjeruar, një sëmundje ku muskujt e zemrës dobësohen dhe dhomat e saj zmadhohen.

“Unë u bëra nuse dhe bashkëshorte në moshën 30-vjeçare, dhe tani jam e ve në moshën 31. Këto fjalë nuk duhet t’i thotë askush,” u shpreh Laura.

Një histori e ngjashme tronditëse vjen edhe nga Lancashire, ku infermierja Gabby Evans humbi të dashurin e saj Tom Brakewell, gjithashtu 32 vjeç, pas një ataku kardiak në janar 2025.

Tom kishte pasur dhimbje koke që nga gushti dhe u shtrua në spital më 18 janar, ku fillimisht u mendua se kishte pësuar një atak në zemër. Më vonë u konstatua se ishte presioni i lartë i gjakut që po i shkaktonte simptomat. Ai u la i lirë nga spitali, por tri ditë më pas ndaloi së marrë frymë në gjumë dhe ndërroi jetë përpara syve të Gabby-t.

Ekspertët më vonë zbuluan se ai kishte vuajtur për një kohë të gjatë nga hipertensioni i pakontrolluar dhe sëmundje koronare të zemrës.

Tani, të dyja gratë po bëjnë thirrje për kontrolle shëndetësore të detyrueshme për të rinjtë nga mosha 25 deri në 35 vjeç për të identifikuar sëmundje të padukshme të zemrës përpara se të jetë tepër vonë. Ato kanë nisur një peticion në Change.org më 2 maj për të shtyrë autoritetet drejt reformës.

“Po të ishte bërë një kontroll i thjeshtë më herët, ndoshta do të kishim më shumë kohë me Edward dhe Tom-in,” tha Laura Burr.

Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë tha: “Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e Edward dhe Tom. NHS ofron kontrolle shëndetësore të fokusuara tek ata me rrezik më të lartë, duke parandaluar rreth 500 sulme në zemër dhe goditje çdo vit. Po punojmë për të zhvilluar një shërbim online që do t’u mundësojë qytetarëve të kontrollojnë vetë rrezikun e tyre për sëmundje kardiovaskulare dhe diabet.”

Megjithatë, për Laura-n dhe Gabby-n, kjo nuk mjafton. “Askush nuk duhet të bëhet i ve në këtë moshë,” thanë ato.