FLASH :

Publikohet për herë të parë video e plotë e sulmit të Diddy ndaj Cassie, dhunë brutale në hotel dhe tentativa për shantazh

Një video e paedituar sigurie që tregon një sulm brutal të Sean “Diddy” Combs ndaj ish-të dashurës së tij, këngëtares Cassie Ventura, u bë publike të mërkurën në mëngjes dhe u paraqit si provë kyçe në gjyqin që po zhvillohet në Nju Jork. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2016 në hotelin luksoz InterContinental në Los Anxhelos dhe tregon qartë momentin kur producenti i famshëm e tërheq zvarrë Cassie në korridor, e përplas me forcë në tokë dhe e godet me shqelma ndërsa ajo qëndron pa ndjenja.

Në video, Diddy shfaqet vetëm me një peshqir dhe çorape, i nxehur dhe agresiv, duke ndjekur Cassien nëpër korridorin e hotelit. Ajo tenton të fshihet në ashensor, por ai e kap nga koka dhe e rrëzon përdhe, përpara se ta tërheqë zvarrë përsëri në dhomë. Pamjet u shfaqën për herë të parë para jurisë, të cilët i ndoqën në heshtje dhe me vëmendje maksimale.

Në sallën e gjyqit, Cassie Ventura, 38 vjeç dhe shtatzënë në muajin e nëntë me fëmijën e saj të tretë, u përball me Diddy-n dhe tregoi për dekadën e errët të marrëdhënies së tyre. Ajo rrëfeu se ishte detyruar të merrte pjesë në akte seksuale ekstreme që Diddy i quante “Freak Offs”, ku ajo duhej të kryente marrëdhënie seksuale me burra të tjerë, ndërsa ai shikonte. Ventura tha se e pranonte këtë vetëm nga frika e shantazhit, pasi Diddy e kishte filmuar dhe kërcënonte se do ta bënte videon publike.

Sipas dëshmisë së saj, Diddy e kontrollonte plotësisht, e dhunonte fizikisht, e izolonte dhe përdorte armët si mjet frikësimi. “Më qëllonte me grushta, më përplaste, më shkelmonte në kokë kur isha në tokë”, tha ajo. “Këto nuk ishin raste të rralla. Ndodhnin shumë shpesh.”

Dëshmia e saj vjen vetëm një ditë pasi prokurorët shfaqën videon tronditëse përpara trupit gjykues. Në të njëjtën seancë dëshmoi edhe ish-shefi i sigurisë së hotelit, Israel Florez, i cili ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes. Ai tregoi se si Combs kishte tentuar ta korruptonte me para, duke i thënë: “Ti kujdesu për këtë punë, unë kujdesem për ty.”

Florez rrëfeu gjithashtu se kishte regjistruar videon e sulmit me telefonin e tij personal për t’i treguar bashkëshortes, pasi kishte frikë se askush nuk do ta besonte pa prova. Ai deklaroi se pas përballjes me situatën, Diddy i kishte ofruar 100 dollarë cash dhe një ftesë për t’u kthyer në dhomë, por ai kishte refuzuar ryshfetin.

Prokurorët e kanë përshkruar Combs si drejtues të një “perandorie kriminale” e ngritur mbi shfrytëzimin seksual të grave, kontrollin psikologjik dhe dhunën fizike. Ata e akuzojnë për komplot kriminal, trafikim seksual dhe transport për prostitucion akuza që, nëse provohen, mund t’i sjellin dënim me burgim të përjetshëm.

Cassie tha se kishte qenë vetëm 19 vjeç kur kishte nisur lidhjen me Diddyn, atëherë 36 vjeç, dhe se kishte qenë emocionalisht e papjekur dhe seksualisht e papërvojë. “E adhiroja si një figurë të madhe në industrinë muzikore. Ai më bëri të besoja se ishim në një marrëdhënie monogame, ndërkohë që më përuliste dhe më poshtëronte çdo ditë,” rrëfeu ajo.

E prekur, Ventura foli me lot në sy për përvojën e saj në “Freak Offs”: “Më dukej sikur isha thjesht një objekt. Isha e përbuzur, e poshtëruar, nuk kisha me kë të flisja, nuk mund të kërkoja ndihmë.” Ajo përshkroi se si këto akte zgjatnin deri në 4 ditë, përfshinin konsum të lartë droge, alkooli dhe përdorim të dhjetëra shisheve me vaj për bebe. “E vetmja gjë që më mbeti ishte të përpiqesha të rikuperohesha për t’u ndier sërish njeri,” shtoi ajo.

Ndërsa avokatët e Diddy-t pretendojnë se marrëdhëniet ishin konsensuale dhe ai kishte “shije të pazakonta seksuale”, prokurorët theksojnë se në thelb bëhej fjalë për shfrytëzim, frikësim dhe kontroll total të një gruaje të re dhe të pambrojtur.

Gjykatësi Arun Subramanian la të kuptohet se pamjet dhe fotot e “Freak Offs” mund të bëhen publike, pavarësisht kërkesës së Ventura-s për t’i mbajtur të mbyllura.

Sean “Diddy” Combs, i cili ka fituar tre çmime Grammy dhe ka bashkëpunuar me yje si Jennifer Lopez, Mariah Carey dhe Mary J. Blige, i mohon të gjitha akuzat. Nëse shpallet fajtor, përballet me burgim të përjetshëm.