Aktorja dhe këngëtarja e njohur shqiptare, Klea Huta, ka ndarë së fundmi detaje personale në një intervistë për emisionin Canape, ku ka folur me shumë sinqeritet për jetën familjare dhe marrëdhënien me djalin e saj, Kridin, që ka me partnerin e saj, artistin Elgit Doda.
Në rrëfimin e saj, Klea ka treguar se Krid është një djalë shumë i zgjuar dhe i zhvilluar mendërisht për moshën që ka. Megjithatë, ajo ka pranuar një pendesë që lidhet pikërisht me djalin: vendimin për ta ekspozuar në publik.
“Deri 1 vit e mbajtëm të izoluar, nuk ia nxorëm portretin. Por nëse do e ktheja kohën pas, nuk do e nxirrja Kridin,” u shpreh ajo, duke shtuar se ruajtja e privatësisë së fëmijës është një vendim që sot do ta kishte marrë ndryshe.
Ndërkohë, Klea Huta nuk e fshehu dëshirën për të zgjeruar familjen. Ajo u shpreh se ka dëshirë të bëjë edhe një fëmijë tjetër, por pa ndonjë preferencë për gjininë.
“Kam dëshirë të kem një fëmijë tjetër, nuk e di vajza apo djalë. Mua të gjithë më thonë kur do ta bësh vajzën. U them: A e kam të shkruar këtu në ballë që do bëj vajzë? Nuk e di çfarë do jetë, çfardo që të jetë dhe kurdo që të vijë, të vijë me shëndet dhe me bekimin e madh nga Zoti,” përfundoi ajo.
Klea dhe Elgit Doda janë një nga çiftet më të dashura për publikun shqiptar, dhe rrëfime të tilla vetëm sa i forcojnë më shumë lidhjet me ndjekësit e tyre.












