FLASH :

Britanikja 19-vjeçare ndalohet në Gjeorgji me 14 kg kanabis – përballet me burgim të përjetshëm

Një shtetase britanike 19-vjeçare është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tbilisit në Gjeorgji, pasi dyshohet se po transportonte 14 kilogramë kanabis dhe hashash në territorin e ish-republikës sovjetike. E identifikuar me inicialet B.K., ajo akuzohet për trafik ndërkombëtar të narkotikëve në sasi të konsiderueshme, vepër që parashikon dënim deri në 20 vite burg ose edhe burgim të përjetshëm, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjeorgjisë.

Në një video të shpërndarë nga autoritetet lokale, e reja shihet e prangosur pas ndalimit në aeroport. Gjatë kontrollit të valixhes së saj, oficerët doganorë zbuluan 34 paketime hermetikisht të mbyllura me marijuanë dhe 20 paketime me hashash. Ministria konfirmoi se përmes skanerit u identifikua bagazhi i dyshimtë dhe më pas u bllokuan 12 kg marijuanë dhe mbi 2 kg hashash.

Hetimet janë duke u ndjekur nga Departamenti Qendror i Policisë Kriminale në Tbilisi. Nuk është bërë e ditur se nga cili vend kishte udhëtuar vajza në momentin e ndalimit. Ngjarja vjen vetëm një javë pasi një tjetër britanik, Thomas Parker, 32 vjeç, u përball me gjyqin në Bali për trafikim të një kilogrami MDMA – një krim që në Indonezi mund të dënohet me vdekje.

Autoritetet gjeorgjiane e kanë cilësuar rastin e 19-vjeçares si një përpjekje për të futur në vend një “sasi veçanërisht të madhe narkotikësh”, ndërsa procedura penale ndaj saj është në vijim.