Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Meksikë, ku kandidatja për kryetare bashkie nga partia në pushtet Morena, Yesenia Lara Gutierrez, u vra me armë zjarri së bashku me vajzën e saj dhe dy mbështetës të tjerë, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Facebook. Sulmi ndodhi të dielën në mbrëmje në qytetin Texistepec të shtetit lindor Veracruz, ndërsa Gutierrez përshëndeste qytetarët në rrugë, përfshirë gra me fëmijë në krahë.
Në videon e publikuar në rrjet, dëgjohen mbi 20 të shtëna armësh, ndërsa turma shpërndahet me britma. Pamjet tregojnë trupat e viktimave në rrugë. Guvernatorja e Veracruz-it, Rocio Nahle, konfirmoi se ndër të vrarët ishte edhe vajza e Gutierrez-it. Ajo e quajti sulmin një akt terrorizmi dhe premtoi drejtësi: “Asnjë post nuk vlen më shumë se jeta e një njeriu”.
Kjo është vrasja e dytë e një kandidateje për bashki në Veracruz gjatë këtij cikli zgjedhor, pas ekzekutimit të German Anuar Valencia më 29 prill – gjithashtu pjesë e partisë Morena. Sipas autoriteteve, 57 kandidatë kanë kërkuar mbrojtje shtetërore, megjithatë mbetet e paqartë nëse Gutierrez kishte bërë një kërkesë të tillë. Ndërkohë, hetimet për ngjarjen janë hapur nga prokuroria e shtetit.
Ngjarja ka rritur ndjeshëm pasigurinë përpara zgjedhjeve të 1 qershorit, në një atmosferë politike të tensionuar dhe të infektuar nga dhuna e grupeve kriminale. Presidentja Claudia Sheinbaum e konfirmoi sulmin në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet e Veracruz-it dhe do ofrojë mbështetje federale nëse është e nevojshme. Vetëm dy ditë më parë, edhe një zyrtare tjetër u vra në shtetin e Jalisco, duke e thelluar krizën e sigurisë në vend.





