Një burrë nga Wisconsin-i ka kaluar gati dy dekada duke lejuar që gjarpërinjtë më vdekjeprurës në botë ta kafshojnë — dhe tani shkenca thotë se mund të ketë shpëtuar jetë.
Pa asnjë ngurrim apo frikë, Tim Friede hyn në bodrumin e shtëpisë së tij dhe lejon që dy nga gjarpërinjtë më helmues në botë të kafshojnë krahët e tij. Në një video mahnitëse dy minutëshe të postuar në internet, ai nxjerr nga një kuti një mambë të zezë 3 metra të gjatë dhe më pas një taipan nga Papua, një prej gjarpërinjve më vdekjeprurës në planet.
Të dy gjarpërinjtë e kafshojnë, por Tim nuk lëviz as vetullat. “Faleminderit që më ndoqët,” thotë ai duke treguar krahun e përgjakur nga kafshimi i mambës. Në një video të dytë të filmuar një orë e gjysmë më pas, ai duket ende i gjallë dhe nuk ka marrë asnjë antidot. “Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse e bëra”, shton ai.
Sot, shkencëtarët janë të mahnitur: gjaku i Tim-it përmban antitrupa të jashtëzakonshëm, të cilët mund të çojnë drejt prodhimit të një antidoti universal ndaj helmimit nga gjarpërinjtë. Diçka që mund të shpëtojë deri në 140,000 jetë çdo vit.
Në vend të trajtimeve tradicionale me kuaj dhe kafshë të mëdha, të cilat mund të shkaktojnë reaksione alergjike të rrezikshme dhe kanë nevojë për identifikimin e llojit të gjarprit, antitrupat njerëzorë të Friede po ofrojnë një alternativë më të sigurt dhe të gjithanshme.

Tim, sot 57 vjeç, ka pësuar mbi 200 kafshime dhe injektuar mbi 700 doza helmi nga lloje të ndryshme gjarpërinjsh, përfshirë kobrat, gjarpërinjtë koralorë dhe gjarpërinjtë me zile. Fillimisht e nisi për motive personale: donte të ndërtonte imunitet ndaj kafshimeve aksidentale nga gjarpërinjtë e tij të shtëpisë. Por një gabim i hershëm thuajse e vrau: në vitin 2001, një kafshim nga një kobër egjiptiane e futi në koma për katër ditë.
Megjithatë, ai nuk u ndal. Ai vazhdoi me “seancat e injektimit”, që i quan “koha në shalë”, çdo natë pas pune, pasi kalonte kohë me fëmijët. Me kalimin e viteve, toleranca e tij ndaj dhimbjes u bë mbresëlënëse: “Një kafshim nga gjarpri me zile më la pa ndjenja në gisht, por asnjëherë nuk humba një ditë pune”.
Në kulmin e aktivitetit të tij, ai kishte deri në 60 gjarpërinj në bodrum, të furnizuar me minj nga një fermë që kishte ngritur vetë. Por kjo obsesion çoi edhe në shkatërrimin e martesës së tij — u divorcua në vitin 2015.
Në vitin 2017, historia e Tim-it tërhoqi vëmendjen e Jacob Glanville, drejtues i kompanisë bioteknologjike Centivax. Duke studiuar gjakun e tij, shkencëtarët identifikuan dhjetëra antitrupa “me spektër të gjerë”. Kur u testuan tek minjtë, ato siguruan mbrojtje të plotë ndaj 13 prej 19 gjarpërinjve më vdekjeprurës në botë, dhe mbrojtje të pjesshme ndaj gjashtë të tjerëve.
Gjetja është cilësuar si “revolucionare”. Por Glanville bën një paralajmërim të qartë: “Ne e dëmshpërblejmë fuqimisht këdo që mendon të bëjë atë që bëri Tim. Ai është përjashtim.”
Dhe nëse e lexon historinë deri në fund — nuk ka dyshim se është një paralajmërim që nuk ka nevojë të përsëritet.