FLASH :

Shqipëri – Serbi, ndeshja e vitit! FSHF ndryshon mënyrën e shitjes së biletave për të përballuar kërkesën e jashtëzakonshme

Për shkak të interesit të madh për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2026 mes Shqipërisë dhe Serbisë, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar një procedurë të re për shitjen e biletave, për të garantuar shpërndarje sa më të drejtë dhe transparente.

Formulari i aplikimit online do të publikohet më 15 maj 2025, dhe çdo tifoz mund të aplikojë për deri në 4 bileta.

Pas mbylljes së aplikimeve, do të kryhet short kompjuterik, ku të përzgjedhurit do të njoftohen në email dhe do të kenë mundësi të blejnë biletat nga 30 maj deri më 2 qershor përmes një linku unik.

Biletat elektronike do të dërgohen pas pagesës në adresën e emailit të regjistruar, ndërkohë që çdo biletë mund të transferohet vetëm një herë, përndryshe ajo bëhet e pavlefshme.

FSHF kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim nga tifozët për të shmangur kaosin dhe për të siguruar një atmosferë të denjë në sfidën historike ndaj Serbisë.