FLASH :

Trump beson te takimi Zelenski-Putin në Stamboll: “Mund të sjellë gjëra të mira” – Rusia i qëndron ofertës për paqe, por refuzon ultimatume

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm takimin e paralajmëruar mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski dhe atij rus Vladimir Putin, që pritet të mbahet të enjten në Stamboll. “Mendoj se ky takim mund të sjellë gjëra të mira”, u shpreh Trumpi, duke shtuar se kishte këmbëngulur personalisht që ky takim të ndodhte. Sipas tij, vetëm përmes bisedimeve palët mund të kuptojnë me qartësi se “me çfarë kanë të bëjnë” dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat.

Zelenski, përmes një postimi në Platformën X, konfirmoi gatishmërinë për t’u takuar me Putinin: “Do ta pres Putinin në Turqi të enjten, personalisht”. Ai përsëriti kërkesën për një “armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm” që do të hynte në fuqi nga e hëna.

Nga ana tjetër, Kremlini ka deklaruar se Putini “e ka seriozisht” ofertën për paqe dhe është i angazhuar për një zgjidhje afatgjatë. “Qasja jonë për të eliminuar shkaqet bazë të konfliktit gjen mbështetje në shumë vende”, deklaroi zëdhënësi Dmitry Peskov. Megjithatë, ai nuk konfirmoi nëse Putini do të jetë fizikisht në takim.

Peskov kritikoi ashpër ultimatumin e vendeve perëndimore, të cilat kanë paralajmëruar sanksione të reja nëse Moska nuk pranon armëpushimin. “Këto kërcënime janë të papranueshme. Nuk mund të flasësh me Rusinë në atë mënyrë”, tha ai.

Takimi në Stamboll shihet si një përpjekje e rrallë diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, megjithatë mbetet e paqartë nëse Rusia është realisht e gatshme për kompromis. Ukraina vazhdon ta akuzojë Moskën se po injoron ofertën për një armëpushim 30-ditor.