Është e kuptueshme që Mundësia e Agron Shehajt të mos pranonte të ishte në një koalicion me parti sorosiane dhe komuniste, pasi ajo po profilizohet si e djathta e re në vend duke u kthyer në alternativën që do të zëvendësojë Partinë Demokratike, në rast se kjo e fundit nuk shkëputet një herë e mirë nga Sali Berisha.
Gjithashtu, është e kuptueshme që Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, me vijë dogmatike ideologjike, të mos pranojë të jetë në një koalicion me një parti të djathtë dhe me dy parti oportuniste dhe pragmatiste.
Ashtu sikurse është e kuptueshme që ishin pikërisht matrapazët dhe populistët Shabani e Lapaj, ata që pa pikë morali dhe parimesh, ofruan një koalicion me spektër të gjerë ndërmjet të gjitha partive të reja.
Kjo padyshim do ta kishte forcuar një koalicion të tillë të mundshëm, duke e bërë madje forcë të tretë politike, përpara PSD së Tom Doshit, me shifra në dorë të votave të numëruara deri më tash.
Të gjitha arsyetimet e mësipërme qëndrojnë, por për ironi të fatit kishin të drejtë për momentin Lapaj dhe Shabani.
Të gjitha palët do të humbisnin pak nga identiteti dhe ideologjia e tyre duke pranuar të bashkoheshin me të tjerët, por mosbashkimi në tërësi, është edhe më i dëmshëm.
Në një shoqëri ku parimet, vlerat dhe morali kanë pak rëndësi kur vjen puna te politika, ngrihet pyetja nëse të del më mirë të jesh parimor apo pragmatist?
Dilema është e madhe. Me një koalicion të bashkuar këto forca mund të nxirrnin 10 deputetë, të kushtëzonin vendim-marrjet e qeverisë dhe ta vinin me shpatulla pas murit këtë të fundit me kërkesë llogarie.
Është befasuese të shohësh shifra që shkojnë mbi 30 mijë vota dhe të bëjnë të nxjerrësh vetëm 1 deputet. Kjo ndodh pikërisht nga fragmentarizimi dhe kodi elektoral që është bërë ad-hoc nga dy paritë e mëdha për mos të lejuar hyrjen në lojë të aktorëve të rinj.
Në fakt, një parti mund të marrë edhe 50 mijë vota, por nëse i ka të fragmentarizuara në 12 qarqe, ato humbasin dhe mund edhe të mos nxjerrin dot as edhe një deputet.
Ndërsa nëse forcat bashkohen dhe përqëndrohen në disa qarqe të caktuara, ato mund të prodhojnë 5, 7 apo edhe 10 mandate.
Mbetet për t’u parë nëse zgjedhja për të mos u bashkuar do t’i forcojë këto parti në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme.
“Mundësia” dhe Lëvizja Bashkë duken disi më të lëshuara drejt kësaj arritjeje, ndërsa Nisma Lapaj-Shabani nën precedentët e Kreshnik Spahiut dhe të Ben Blushit, duket e destinuar të avullojë.