Një moment zemërthyes është kapur në video në veri të Malajzisë, ku një nënë elefant e dëshpëruar përpiqet të zhvendosë me forcë kamionin që kishte shtypur për vdekje të voglin e saj.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në shtetin Perak. Sipas raportimeve, elefanti i vogël vdiq i bllokuar nën pjesën e përparme të kamionit të rëndë.
Pamjet dramatike të elefantes duke shtyrë kamionin pas aksidentit prekën zemrat e miliona njerëzve dhe u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe faqet e mediave malajziane.
Më vonë, autoritetet qetësuan dhe transportuan elefanten për ta ribashkuar me tufën, ndërsa trupi i të voglit u largua nga rruga.
Aktivistët e jetës së egër kërkuan që qeveria të ndërmarrë masa urgjente për ndërtimin e urave të posaçme për kafshët nëpër autostrada, ku tashmë ekzistojnë tabela paralajmëruese për shoferët.
“Çdo vit përballemi me tragjedi të tilla, ku tapirë apo elefantë shtypen nga makinat teksa kërkojnë ushqim”, tha Lee Lam Thye, një aktivist dhe ish-politikan i njohur në vend.
“Këto përplasje jo vetëm që zhdukin kafshë të çmuara, por rrezikojnë edhe jetën e drejtuesve të mjeteve,” shtoi ai për gazetën The Star.
Sipas autoriteteve, nga viti 2020 e deri më sot janë raportuar 2,361 kafshë të egra të vrara nga automjetet në Malajzi – përfshirë edhe tetë elefantë.
Shefi i Qendrës së Kërkimeve për Sigurinë Rrugore pranë Universitetit të Putrës, Teik Hua Law, propozoi që të instalohen sensorë lëvizjeje, shirita paralajmërues në asfalt dhe ura të ngritura për kalimin e kafshëve. “Këto masa, të kombinuara me fushata ndërgjegjësimi dhe tabela më të dukshme, mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e përplasjeve,” tha ai për New Straits Times.
Malajzia është një ndër vendet më të pasura në biodiversitet në botë, me mbi 360 lloje gjitarësh – përfshirë elefantë dhe tapirë – që jetojnë në pyjet e saj tropikale.
Studiuesit kanë konfirmuar se elefantët kanë ndjeshmëri emocionale të ngjashme me atë të njerëzve. Në fillim të këtij viti, shkencëtarët indianë zbuluan se elefantët zhvillojnë rite funerale për të vegjlit e tyre. Gjatë viteve 2022 dhe 2023, në Bengal u dokumentuan pesë raste ku tufat bartnin trupat e këlyshëve dhe i varrosnin me kujdes në tokë, me këmbët drejt qiellit, në kanale ujitëse pranë çajoreve.
Ekspertizat mjeko-ligjore konfirmuan se këlyshët kishin ndërruar jetë nga insuficienca e shumëfishtë e organeve, në moshë mes tre muajve dhe një viti.
