FLASH :

Ja si votuan kandidatët në Tiranë – kush futet në Parlament dhe kush mbetet jashtë

Partia Socialiste ka dalë fituese në Tiranë, duke siguruar 19 mandate, nga të cilat 12 janë nga lista e mbyllur dhe 7 nga lista e hapur, ku ka ndodhur një garë e ashpër mes figurave të njohura të partisë. Nga 75 kuti të numëruara, votat e deritanishme tregojnë një riformatim të brendshëm përfaqësimi në PS, me disa emra të vjetër që rrezikojnë të mbeten jashtë.

Më të votuarit nga PS janë:

  • Blendi Gonxhja – 5080 vota
  • Fatmir Xhafaj – 1880
  • Erion Braçe – 912
  • Ervin Hoxha – 615
  • Ornaldo Rakipi – 569
  • Xhemal Qefalia – 351
  • Anila Denaj – 346

Jashtë Parlamentit mbeten emra të njohur si:
Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Ermonela Felaj, Toni Gogu, Blerina Gjylameti dhe Arben Pëllumbi, të cilët kanë marrë më pak vota se kolegët më të rinj.

Në kampin opozitar, PD renditet me 13 deri në 14 mandate në Tiranë, por vetëm 1 ose 2 vende pritet të dalin nga lista e hapur. Deri më tani, gara brenda PD-së është dominuar nga Ilir Alimehmeti me 1115 vota, i ndjekur nga Jorida Tabaku (996 vota) dhe Myslim Murrizi (761 vota). Ilir Meta ka marrë vetëm 340 vota dhe deri tani mbetet jashtë Parlamentit.

Kjo dinamikë e re votash po jep sinjale të ndryshimit të hierarkisë brenda partive, duke sjellë në qendër të vëmendjes figura më të votuara nga baza elektorale dhe duke penalizuar shumë prej ish-ministrave apo deputetëve veteranë.