Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e “Lajme Troç”, lidhur me ndërtime të paligjshme që po kryhen në Krrabë, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve. Sipas dëshmisë së qytetarit, punimet po zhvillohen me dijeni dhe mbështetje të plotë nga administratori i zonës, Lorenc Isufi. Siç shihet dhe nga pamjet nuk shihet asnjë tabelë me leje ndërtimi, ku duket qartë shkatërrimi i kodrës dhe natyrës në mënyrë barbare.
“Janë duke u bërë ndërtime pa leje në mes të ditës, nën mbështetjen e administratorit Lorenc Isufi, i cili njihet për raste të mëparshme me ryshfet,” thuhet në denoncim.
Në materialin e siguruar, shihet qartë terreni i shkatërruar nga fadromat, në atë që përshkruhet si një tentativë e dëshpëruar për të blerë vota përmes favoreve ndërtimore.
Kjo ngjarje ngre pikëpyetje serioze mbi përdorimin e institucioneve publike dhe funksionarëve lokalë në funksion të interesave elektorale dhe korruptive. Nëse vërtetohet, rasti do të përbënte një shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor dhe të Kodit Penal për shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm.







