Në orën 19:00 të pasdites së sotme është mbyllur procesi i votimit në të gjithë Shqipërinë, me përjashtim të atyre zgjedhësve që ndodheshin ende në radhë në momentin e mbylljes dhe që sipas ligjit do të lejohen të votojnë.
Procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë përgjithësisht të qetë, pa incidente të mëdha, ndonëse janë raportuar disa raste të izoluara që kanë ngritur dyshime për shitblerje votash.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, deri në orën 18:00 pjesëmarrja në rang vendi ishte 41.24%, me 823,307 votues nga gjithsej 1,996,165 zgjedhës të regjistruar në QV-të e raportuara. Kjo përfaqëson një rënie me rreth 4% krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pjesëmarrja më e ulët është shënuar në Vlorë me 29.47%, ndërsa më e larta në Dibër me 48.4%.
Në total, të drejtë vote kishin 3,713,761 qytetarë shqiptarë, ndërsa në garë janë 11 subjekte politike. Partia Demokratike ka kërkuar që rezultatet e votimit elektronik në Bashkinë e Vorës dhe Njësinë nr. 10 në Tiranë të shpallen ditën e nesërme.
Tani pritet që të fillojë procesi i numërimit të votave, ndërkohë që vëmendja do të përqendrohet tek rezultatet dhe mënyra e administrimit të tyre nga komisionerët në çdo qendër votimi.






