Nga Maksi Çami
Jo për sytë e botës, jo për raportet e ODIHR dhe BE, na duhet të tregojmë se kemi nivel të lartë qytetarie dhe integriteti si votues për t’u bërë një shoqëri më e drejtë dhe më e përgjegjshme ndaj vetes sonë. Në librin Demokracia dhe Kritikët e Saj, Robert A. Dahl, një nga teoricienët politikë më me ndikim të shekullit XX, paraqet një mbrojtje të fuqishme të demokracisë, duke u përballur me seriozitet me kundërshtimet dhe dyshimet që i janë adresuar asaj. Në thelb të analizës së tij qëndron një pyetje themelore:
Pse duhet ta vlerësojmë demokracinë? Cilat janë mësimet që na ofron Dahl për votën demokratike edhe në Shqipëri?
Barazia e Votës. Çdo qytetar duhet të ketë të garantuar një mundësi të barabartë për të votuar i lirë dhe çdo votë duhet të numërohet me të njëjtën peshë në rezultatin përfundimtar. Kjo është zemra e barazisë politike. Një qytetar, një vote, asnjë votë nuk duhet të ketë më shumë peshë sesa një tjetër apo të tjetërsohet nga partitë që kanë në dorë numërimin. Të gjitha votat duhet të përfshihen në numërimin përfundimtar, pa përjashtime të qëllimshme.
Dahl e ndan qartë këtë kriter nga koncepti formal i së drejtës për të votuar. Nuk mjafton thjesht që njerëzit të kenë të drejtën për të votuar; për një proces demokratik të vlefshëm. Nëse diferencat ekonomike, gjeografike apo etnike lejojnë që disa grupe të kenë ndikim më të madh sesa të tjerat, atëherë kemi një shkelje të drejtpërdrejtë të këtij parimi.
Praktika të tilla si rindarja politike me harta zgjedhore manipuluese e zonave elektorale (gerrymandering), mohimi i së drejtës së votës apo shpërndarja e pabarabartë e mandateve, sipas Dahl, minojnë seriozisht legjitimitetin demokratik. Ato deformojnë përfaqësimin dhe u japin përparësi jo barazisë, por interesave të ngushta. Për më tepër, ai paralajmëron edhe për forma më të fshehta të pabarazisë siç janë sistemet e financimit të fushatave apo rregullat institucionale që, në mënyrë të tërthortë, rrisin peshën e disa votuesve, duke lënë në hije zërat e qytetarëve të zakonshëm. Transparenca, ndershmëria e procesit të numërimit dhe e drejta e votës për të gjithë janë standarde minimale.
Për Dahl, këto dy kritere, pra Pjesëmarrja Efektive dhe Barazia e Votës, përbëjnë themelet e çdo sistemi demokratik me legjitimitet të vërtetë. Pa to, premtimi i demokracisë si një rend politik mbi barazinë është i zbrazët. Ato nuk përshkruajnë domosdoshmërisht gjendjen aktuale të demokracive reale, por ofrojnë një standard moral dhe politik, mbi të cilin qytetarët dhe teoricienët mund të gjykojnë, krahasojnë dhe përmirësojnë institucionet ekzistuese. Pra thënë shkurt: Mos u intimidoni nga të fortët! Mos u gënjeni nga ata që e kanë treguar më pare se kur kanë pushtet nuk qeverisin por vjedhin!
Votoni si njerëz të lirë! MOS E SHISNI VOTËN!







