Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e djeshme në Prishtinë, ku stilisti i njohur kosovar, Festim Isufi, ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij, blogeren Rina Maloku, dhe më pas ka kryer vetëvrasje. 34-vjeçari, i njohur për sukseset në fushën e modës, humbi jetën si pasojë e plagëve që i shkaktoi vetes.
Sipas burimeve të para, ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit dhe motivet e saj mbeten ende të paqarta. Ndërkohë, Rina Maloku ndodhet në spital dhe po trajtohet për plagët e marra.
Festim Isufi hyri në historinë e modës shqiptare në vitin 2020 si stilisti i parë nga Kosova që prezantoi koleksionin “Haute Couture” në Javën e Modës në Paris, pikërisht në shtëpinë ikonike të Coco Chanel. Sfilata u përmbyll me një fustan nusërie të shoqëruar nga kënga “Baresha” e Nexhmije Pagarushës, e cila emocionoi publikun ndërkombëtar.
Në radhët e të ftuarve atëherë ishin figura të njohura shqiptare si Agnesa Vuthaj, Orinda Huta, si dhe ambasadori i Kosovës në Francë, Qendrim Gashi, së bashku me bashkëshorten e tij Jeta Abazi Gashi.
Tragjedia e fundit ka lënë të shokuar komunitetin artistik dhe publikun që e kishte ndjekur rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në botën e modës.



