Eurovision 2025 pritet të përmbajë një format të ri për njoftimin e vendeve që kualifikohen nga gjysmëfinalet, duke sjellë më shumë emocione dhe pezullim në spektakël. Sipas dokumentarit të SRF-së “Der Weg zum ESC 2025”, që ndjek përgatitjet për edicionin e ardhshëm, organizatorët synojnë të prezantojnë vendet kandidate në grupe prej tre shtetesh, për të shpallur vetëm një kualifikuar në fund – një stil i frymëzuar nga programet e talentëve si “X Factor”.
Ky format do të testohet për herë të parë gjatë provës gjenerale të gjysmëfinales së parë, më 12 maj. Sipas rrjedhjeve nga komuniteti i fansave ESC Discord, ky eksperiment synon të rrisë ndjeshëm tensionin te shikuesit, duke e kthyer momentin e shpalljes së rezultateve në një kulm dramatik.
Producentët ekzekutivë të Eurovision 2025, Reto Peric dhe Moritz Stadler, e kishin paralajmëruar më herët këtë ide në një intervistë për The Euro Trip Podcast, ku theksuan se dëshirojnë të “shtojnë më shumë emocion dhe pezullim” në natat gjysmëfinale. Edhe në vitin 2023 në Liverpul u testuan forma të reja njoftimi, ku të gjithë artistët dolën në skenë për një shpallje të përbashkët.
A do të funksionojë kjo qasje televizive në një festival që historikisht ka ruajtur balancën mes muzikës dhe spektaklit? Mbetet për t’u parë më 12 maj.