FLASH :

Kapet në Greqi krimineli i rrezikshëm i kërkuar për vrasje në Lushnjë, pritet ekstradimi në Shqipëri

Një tjetër fazë e operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted” është finalizuar me sukses, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe autoriteteve greke.

Policia e Shtetit njoftoi sot arrestimin në Pire të Greqisë të shtetasit shqiptar A. A., 51 vjeç, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe pjesëtar i një grupi kriminal. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në Lushnjë në vitin 2019.

Sipas njoftimit zyrtar, A. A. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit L. H. dhe O. B., ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin B. H. Për këtë krim, Gjykata e Fierit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” në vitin 2023, ndërkohë që akuzohet edhe për “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Arrestimi u bë i mundur falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes strukturave shqiptare dhe homologëve grekë. Interpol Tirana po punon me Interpol Athinën për finalizimin e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.