Pas një etape të parë spektakolare nga Durrësi në Tiranë, e fituar nga danezi Mads Pedersen me foto-finish, sot zhvillohet etapa e dytë e “Giro d’Italia 2025”, e cila përfshin një garë kronometrike brenda kryeqytetit shqiptar. Starti i garës është parashikuar në orën 13:30 nga Sheshi “Skënderbej” dhe do të kalojë në itinerarin: bulevardet “Gjergj Fishta”, “Bajram Curri”, sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Elbasanit drejt Saukut, për t’u rikthyer në drejtim të qendrës, me përfundim rreth orës 17:15 te Sheshi “Nënë Tereza”.
Rrugë të bllokuara dhe orientime për qytetarët
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv janë ndërmarrë masa të forta të sigurisë dhe kufizime në qarkullim. Nga ora 08:00 deri në 11:00 ndalohet parkimi dhe qarkullimi në zonat: Zogu i Zi, Rruga e Durrësit, Fortuzi, Dervish Hatixhe, Rruga e Barrikadave dhe zona pas Pallatit të Kulturës. Nga ora 10:00 deri në 18:00 ndalohet qarkullimi në një sërë rrugësh kryesore, përfshirë Sheshin Skënderbej, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “Gjergj Fishta”, “Bajram Curri”, “Muhamet Gjollesha”, Rrugën e Elbasanit deri në rrethrrotullimin e Saukut, dhe shumë rrugë dytësore që lidhen me to.
Gjithashtu, banorët në blloqet e banimit pranë rrugës “Papa Gjon Pali II” dhe zonës “Ukraina e Lirë” nuk do të kenë akses për dalje gjatë orarit të garës. Autoritetet kanë sugjeruar devijime të qarkullimit në drejtim të rrugës së Dibrës, Unazës së Re dhe rrugëve alternative si Pasho Hysa, Agush Gjegjevica dhe rruga e Shkozës.
Giro d’Italia për herë të parë me dy etapa në Shqipëri
Kjo është hera e parë që “Giro d’Italia” zhvillon dy etapa të plota në Shqipëri. Gara nisi më 9 maj nga Durrësi, duke kaluar nëpër disa qytete e fshatra të vendit për një total prej 160 kilometrash, me një profil të përzier fushoro-malor. Fituesi i kësaj etape ishte Mads Pedersen i skuadrës Lidl, i ndjekur nga belgu Wout van Aert dhe venezueliani Orluis Aular.