Ministri i ri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, u prit me pozitivitet në takimin e parë joformal me homologët e BE në Varshavë, ku u shfaq i qetë, i sigurt dhe me një mesazh të qartë për rivendosjen e lidhjeve me partnerët strategjikë: Francën dhe Poloninë. Duke u shfaqur bashkë me ministrin francez Barrot pas një udhëtimi të përbashkët nga Parisi, Wadephul theksoi se Gjermania synon t’u japë marrëdhënieve me këto dy vende një “dimension të ri”.
Pavarësisht atmosferës pozitive, nuk mungojnë sfidat. Ekspertët paralajmërojnë për ndasi të mëdha, sidomos mbi politikat e mbrojtjes dhe emigracionit. Vendimi i Berlinit për kontrolle kufitare shtesë me Poloninë, u kritikua si një qasje e stilit “Gjermania e para”, që rrezikon të forcojë populistët në Varshavë. Megjithatë, Wadephul shihet si një mundësi për ta zbutur këtë tension përmes diplomacisë dhe bashkëpunimit europian – sidomos falë reputacionit të tij si politikan modest dhe i ndjeshëm ndaj realitetit polak.

