FLASH :

Danimarka nis gjyqin e parë penal për djegien e Kuranit – në fuqi ligji i ri që ndalon përdhosjen e shkrimeve të shenjta

Në Danimarkë ka nisur këtë të premte gjyqi i parë penal mbi bazën e ligjit të ri që ndalon përdhosjen e librave të shenjtë fetarë, si Kurani, pas një vale incidentesh që nxitën protesta globale. Dy burra gjykohen në ishullin Bornholm për djegien e një kopjeje të Kuranit gjatë një festivali folklorik në qershor 2024, një akt që u transmetua drejtpërdrejt në Facebook.

Ky është procesi i parë që zhvillohet pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri më 7 dhjetor 2023, i cili ndalon jo vetëm djegien, por edhe çdo trajtim “të papërshtatshëm” të librave të shenjtë si grisja apo shkelja. Ligji u miratua në përgjigje të mbi 480 rasteve të regjistruara në pak muaj të djegies së simboleve fetare apo flamujve, që provokuan protesta të dhunshme në botën myslimane dhe kërcënime terroriste ndaj Danimarkës dhe Suedisë.

Ligji është përballur me kritika të forta nga opozita dhe shoqëria civile, të cilët e konsiderojnë kufizim të lirisë së fjalës. Disa komentatorë e lidhin miratimin e tij edhe me përpjekjet e Danimarkës për të siguruar një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, në Suedi, ku mungon ende një ndalim i qartë i djegies së Kuranit, tensionet vazhdojnë. Aktivistë si Rasmus Paludan dhe Salvan Momika kanë shkaktuar trazira të mëdha me aktet e tyre, dhe ky i fundit u vra në rrethana misterioze në shkurt 2025, vetëm një ditë para se të dënohej për nxitje të urrejtjes.

Dënimet për shkeljen e ligjit të ri danez variojnë nga gjoba deri në dy vjet burg. Vendimi i gjykatës pritet të japë një precedent për interpretimin e këtij ligji kontrovers në vitet në vijim.