FLASH :

Dënohen dy miq për prerjen e pemës simbol të Britanisë – Sycamore Gap: Një akt hakmarrjeje dhe marrëzie që tronditi kombin

Është një veçori e çuditshme e karakterit britanik që prerja e një peme mund të shkaktojë më shumë zemërim publik sesa shumë krime të tjera më serioze. Dhe kështu ndodhi me prerjen e pemës legjendare Sycamore Gap, një simbol kombëtar i vendosur pranë Murit të Hadrianit, i rrëzuar pabesisht në errësirën e natës, më 27 shtator 2023.

Dy punëtorë të thjeshtë nga Carlisle – Daniel Graham, 39 vjeç, dhe ish-miku i tij i ngushtë Adam Carruthers, 32 – u shpallën fajtorë këtë javë për dëmtim të rëndë kriminal të pemës 150-vjeçare dhe dëmtim të Murit të Hadrianit, një pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO. Vlera e dëmit ndaj pemës është vlerësuar në 622 mijë paund, ndërsa për murin rreth 1,100 paund.

Një akt i “moronic mission” që tronditi vendin

Pema ikonike ishte mbjellë në shekullin XIX nga juristi dhe antikuari John Clayton, i cili luftoi për ruajtjen e Murit të Hadrianit. Pasi u shfaq në filmin Robin Hood: Prince of Thieves në vitin 1991, ajo u bë një destinacion pelegrinazhi për turistë nga e gjithë bota. Pas prerjes së saj, reagimet shpërthyen nga kryeministri Rishi Sunak deri te vizitorë që qanin para trungut të prerë.

Në gjyq, juria u bind nga provat filmike që tregojnë Carruthers duke përdorur një motosharë për të prerë trungun, ndërsa Graham xhironte aktin. Ata kishin përdorur teknika profesionale të prerjes së pemëve, me shenja me bojë dhe prerje të drejtuar, për të kontrolluar drejtimin e rënies – që për fat të keq goditi edhe vetë Murin e Hadrianit.

Një miqësi që u kthye në shkatërrim

Dyshja, dikur miq të pandashëm që shiheshin çdo ditë, sot nuk e shikonin njëri-tjetrin në sy në sallën e gjyqit. Miqësia kishte nisur kur Carruthers riparoi makinën e babait të Graham, i cili më pas u vetëvra – një ngjarje që duket se ndikoi thellë tek Graham. Ata u afruan shumë dhe komunikonin përditë, ndanin pica dhe milkshake, madje Graham e quante mikun e tij me përkëdheli “Jeffrey”.

Por pas arrestimit, miqësia u thye. Graham u përpoq të shpëtonte veten duke telefonuar anonimisht policinë dhe duke i dhënë emrin e mikut si autor kryesor. Në një postim në Facebook disa ditë para gjyqit, ai e akuzoi publikisht Carruthers, duke publikuar fotot e tij me komentin: “Unë nuk do ta bëja kurrë këtë. Ja kush është ai me fytyrën e fshehur.”

Ndërkohë, Carruthers, ndonëse nuk e akuzoi drejtpërdrejt mikun, pretendoi se atë natë kishte shkuar me familjen për darkë, por ishte kthyer për shkak të vajzës së porsalindur. Alibia e tij nuk bindi jurinë.

Çfarë i shtyu ta bënin këtë?

Motivimi mbetet ende i paqartë. Prokurorët sugjeruan se Graham mund të ketë vepruar nga hakmarrja ndaj komshinjve dhe autoriteteve lokale, pasi po përballej me një vendim për ta dëbuar nga një pronë ku jetonte në mënyrë të paligjshme. Ndërsa Carruthers thuhet se donte një “trofe” të veçantë – një copë druri nga pema më e famshme e Britanisë – për ta ruajtur si kujtim për vajzën e tij të sapolindur.

Për një moment të shkurtër, ata u ndjenë “heronj të fshehtë”, duke shpërndarë lajme dhe meme në rrjet, madje edhe duke u tallur me komentuesit që u tronditën nga shkatërrimi.

Tani përballen me drejtësinë

Të dy janë shpallur fajtorë për dëmtim kriminal dhe më 15 korrik 2025 do të mësojnë vendimin përfundimtar nga gjykata, ku përballen me një dënim që mund të arrijë deri në 10 vjet burg. Dy miq që dikur ndanin gjithçka, tani ndajnë vetëm një stol gjyqi – në heshtje, me kokën ulur dhe pa guximin për t’u përballur me sytë e njëri-tjetrit.