Robin Patrick, një fanse nga Maryland, SHBA, ka akuzuar Meghan Markle dhe platformën Netflix për “neglizhencë të rrezikshme”, pasi pretendon se është djegur rëndë nga një recetë relaksuese e kripës së banjës, e ndarë në serialin “With Love, Meghan”. Sipas saj, përzierja me kripëra Epsom dhe Himalaje, vaj arnika dhe vaj livandoje i shkaktoi plagë të hapura dhe dhimbje të forta.
Receta u prezantua nga vetë Dukesha e Sussex-it në episodin e parë të emisionit si dhuratë për një mikeshë. Por pasojat për Patrick kanë qenë të rënda, duke e shtyrë të kërcënojë me një padi prej 10 milionë dollarësh ndaj Markle, Netflix dhe kompanisë së saj të produksionit “Archewell”. Avokati i Markle-s e ka mohuar përgjegjësinë, duke thënë se përbërësit kërkojnë kujdes dhe kjo është e nënvizuar në etiketat e tyre. Rasti ka ndezur debate në rrjet mbi përgjegjësinë e figurave publike për këshillat që ndajnë.


