Edi Rama e ka kthyer qeverisjen në biznes personal, ku pasuritë shtetërore dhe taksat e qytetarëve përdoren për të ndërtuar një rrjet personal influence me të fuqishmit e globit. Nga dhënia e lejes për vendosjen e emigrantëve iranianë dhe afganë në Shqipëri për t’u bërë qokë administratave amerikane, te hapja e dyerve për kampin e emigrantëve të paligjshëm të Giorgia Melonit, lista e lëshimeve ndaj të mëdhenjve vijon të zgjatet. Dhëndri i Trump merr në dorëzim ishullin e Sazanit, ndërsa djali i Berlusconit shpërblehet me 8 milionë euro nga paratë publike për të sjellë një etapë të “Giro d’Italia” në vend. Në vend të mbrojë interesin kombëtar, Rama investon në rritjen e prestigjit të tij ndërkombëtar—me çmimin që e paguajnë shqiptarët.
E përditshmja italiane “Il Sole” ka rikujtuar se Giro d’Italia, përveç kaosit dhe rrëmujës, i ka kushtuar shqiptarëve 8 mln euro.
Shqipëria, ka qenë e para e interesuar për maratonën, ndërsa pala italiane e ka shqyrtuar me skepticizëm duke menduar se çështjet e ndjeshme politike me Shqipërinë mund të krijojnë pakënaqësi. Në të kaluarën, kur në 2018-ën Giro vendosi të niste nga Izraeli, pati protesta nga komuniteti italian palestinez dhe me këtë çështje u desh të merreshin edhe diplomacitë e vendeve të ndryshme.
RCS Sport është kanali, pjesë e Mediaset që organizon turin e çiklizimit dhe është kompania së cilës Shqipëria i ka paguar rreth 8 milionë euro për 3 etapa të turit që ka nisur sot (e premte 9 maj).
Marrëveshja fillestare parashikonte që Shqipëria do t’i paguante 7 milionë euro “RCS” për të menaxhuar tre etapat në vend.
Por më pas, Shqipëria kërkoi që kjo shifër të rishikohej ndjeshëm në rënie, nuk dihet nëse për shkak të bezdisjes për imazhin e Shqipërisë, e cila ndërkohë po pasqyrohej në mediat italiane dhe veçanërisht në mediat e “RCS”-së. Kjo kërkesë ngadalësoi negociatat midis vendeve dhe detyroi “RCS” të shtynte prezantimin e nisjes së Giro-s.







