Një përplasje e dhunshme ka ndodhur gjatë mitingut elektoral të Sali Berishës më 7 maj përpara stadiumit “Elbasan Arena”, ku u godit me grusht Parid Boçi, djali i kandidatit për deputet dhe nënkryetarit të PD, Luçiano Boçi.
Autori i dyshuar, Ervin Totolaku, 36 vjeç, banues në Elbasan, është vënë në pranga nga Policia, e cila e akuzon për “plagosje të lehtë me dashje” dhe “prishje të qetësisë publike”.
Ngjarja ndodhi ndërsa në podium po fliste këshilltari amerikan Philip Griffin, i afërt me strategun republikan Chris LaCivita, në një atmosferë të tensionuar politike pak ditë para zgjedhjeve.
Në deklaratën zyrtare, Policia e Elbasanit konfirmoi arrestimin:
“Më datë 07.05.2025, në lagjen ‘Emin Matraxhiu’, dyshohet se shtetasi Ervin Totolaku ka goditur me grushte shtetasin Parid Boçi për motive të dobëta.”
Ndërkohë, dega lokale e PD në Elbasan reagoi përmes rrjeteve sociale duke minimizuar ngjarjen dhe duke e cilësuar si “incident banal mes të rinjve”.
Ngjarja ka shtuar tensionet në radhët e demokratëve në prag të zgjedhjeve, ndërsa pritet reagim nga drejtuesit qendrorë të partisë.