Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Durrësit pasi akuzohen se kanë kërcënuar me armë zjarri një shtetas 50-vjeç.
Sipas informacioneve zyrtare, të dyshuarit janë identifikuar si Ismail Nuredini dhe Rando Murataj, të cilët dyshohet se kanë ushtruar presion dhe kanosje ndaj viktimës në rrethana që po hetohen.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Durrësit, ndërsa uniformat blu kanë nisur hetimet dhe kontrollet për kapjen e tyre. Nuk dihet ende motivi i konfliktit dhe nëse palët kanë pasur më parë lidhje mes tyre.
Policia njofton se ka sekuestruar prova që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa fton qytetarët që kanë informacion të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së të dyshuarve.
Hetimet janë në vijim.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, pas kallëzimit të bërë dje, nga shtetasi D. K. se një shtetas e kishte kanosur me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin e këtij shtetasi dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi I. N., ndërkohë që qarkullonte me automjet, me pasagjer shtetasin R. M., në lagjen nr. 13, Durrës, ka qëlluar me armë zjarri, për të kanosur shtetasin D. K., 50 vjeç, për motive të dobëta, dhe më pas është larguar me automjet.
Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit I. N., 37 vjeç dhe R. M., 25 vjeç, banues në Durrës, si dhe automjeti i dyshuar i përdorur në këtë ngjarje. Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.







