Në 6 maj, Gjermania zgjodhi kancelarin e saj të ri – Friedrich Merz – por në një mënyrë që la shumë dyshime mbi forcën dhe legjitimitetin e tij. Ai u zgjodh vetëm në raundin e dytë të votimit në Bundestag, pasi nuk arriti të siguronte mbështetjen e plotë të koalicionit të tij CDU/CSU dhe SPD që në tentativën e parë. Ky fakt e dobëson atë që në nisje të mandatit dhe për qytetarët nuk u perceptua si një fillim i ri apo i fuqishëm për Gjermaninë.
Sipas një sondazhi të ARD-Deutschlandtrend, 59% e gjermanëve mendojnë se Merz nuk është zgjedhja e duhur për kancelar, ndërsa vetëm një e treta kanë një opinion pozitiv për të. Edhe disa ministra të rinj të kabinetit kanë hasur në reagime të ftohta, përjashtuar Boris Pistorius, i cili rikthehet si ministër i Mbrojtjes me një mbështetje të gjerë publike prej 73%.
Skepticizëm për ndryshimet dhe rritje për AfD
Merz ka humbur besimin e shumë qytetarëve për shkak të kthesave të menjëhershme pas zgjedhjeve, si për shembull bashkëpunimi i pjesshëm me AfD dhe ndryshimi i qëndrimit për borxhin publik. Në këtë klimë mosbesimi, partia e tij CDU/CSU qëndron në 27% të votave të mundshme, ndërsa SPD vazhdon të bjerë në 16%. AfD mban një nivel të lartë mbështetjeje – 23% – edhe pse Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka klasifikuar si parti me tendenca të vërtetuara ekstremiste të djathta.
Ndërkohë, debati mbi mundësinë e ndalimit të AfD-së po rritet: 43% e të anketuarve janë pro një ndalimi, ndërsa 47% kundër. Përplasja vjen në një kohë kur 45% e qytetarëve shprehen të pajtimit me qëndrimet anti-migracion të kësaj partie – një shifër shqetësuese për peizazhin demokratik të vendit.
Tension rreth të shkuarës naziste
Në përvjetorin e 8 majit – përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – është rihapur edhe debati i zakonshëm mbi trashëgiminë e krimeve naziste. Ndërsa votuesit e AfD-së kërkojnë që “t’i vihet një vijë” së kaluarës, shumica e qytetarëve të partive të tjera mbeten të palëkundur në qëndrimin se përkujtimi dhe mësimi nga historia është i domosdoshëm.
Në vend të një kapitulli të ri, kancelaria e Friedrich Merz ka nisur me pikëpyetje dhe ndasi. Qytetarët gjermanë janë të përçarë mes zhgënjimit ndaj elitave tradicionale dhe frikës nga rritja e ekstremizmit.


